Njeriu që po kërkohet nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e Ermal Kamberajt, ka të kaluar kriminale.
Burime brenda Policisë së Kosovës kanë thënë për Metron se Arton Bajrami i cili e ka ndërruar emrin dhe tani e ka Sadik, është dëbuar nga Zvicra pasi kishte vuajtur dënimin për një grabitje.
I dyshuari i këtij rasti, kishte qenë i dënuar në Zvicër me 5 vite burg për një grabitje, e cila ishte konsideruar grabitje e rëndë.
“I kërkuari ka vuajtur dënim 5 vite në Zvicër për grabitje të rëndë dhe është dëbuar nga Zvicra”, ka thënë burimi anonim.
Ndërkaq, mësohet se i dyshuari Bajrami, në Kosovë ka ardhur qe 5 muaj, kur edhe është dëbuar nga shteti zviceran.
Ndryshe, Policia është vënë në kërkim të tij që nga dje, pasi i njëjti është i dyshuar si dorasi i vrasjes së Ermal Kamberajt, që ndodhi ditën e premte në Mitrovicë.
Policia akoma nuk është rënë në gjurmë të tij, por njoftohet se janë duke u zhvilluar kërkime dhe hetime intensive.