Për rreth tri orë është mbajtur seanca gjyqësore për rastin e 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu, i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur më 14 janar, pasi Gjykata e Apelit e riktheu në rigjykim. Seanca e radhës do të mbahet më 29 korrik të këtij viti, raporton Ekonomia Online.
Avokati Gashi, ka thënë se sot ka qenë seanca e parë pas rikthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit dhe se presin që të ketë një gjykim të drejtë. Beson se dhe vendimi do të jetë i drejtë e në përputhje me dispozitat ligjore.
“Gjykimi i mëhershëm i të riut Lulzim Fejzullahu ka përfunduar në fundin e majit të këtij viti dhe për shkak të ankesave të caktuara që kanë qenë, Gjykata e Apelit e ka rikthyer në rigjykim. Sot faktikisht ka vazhduar me gjykim i cili do të vazhdojë edhe më datë 29 të këtij muaji dhe ne presim që Gjykata të vendosë drejtë në përputhje me dispozitat ligjore dhe të sjellë vendimin i cili do të ishte edhe sadisfaksion për familjen e Lulzimit por që edhe drejtësia të vendoset drejtë dhe në interes të drejtësisë nuk është zvarritja e këtyre çështjeve ligjore por Gjykata Themelore e ka obligim të vendosë në përputhje me institucionet juridike që janë dhënë nga Gjykata e Apelit”.
“Gjykata e Apelit ka vendosur edhe për çështje krejtësisht teknike që njëri prej anëtarëve të trupit gjykues në gjykime të mëhershme ka qenë gjyqtar në procedurën paraprake, gjë që në bazë të dispozitave ligjore nuk ka mundur të jetë anëtar i trupit gjykues… dhe besojmë që vendimi do të jetë i drejtë në përputhje me dispozitat ligjore”, u shpreh Gashi.
E Rrahim Fejzullahu, axha i Lulzim Fejzullahut, ka thënë se kërkesa e tij është që të ketë drejtësi.
“Unë ia kam lënë drejtësisë. Vetëm drejtësi maksimale kërkoj, kështu që dashtë Zoti kemi ku mbështetëmi dhe punon drejtësia.