Vrasja e 89-vjeçarit në Ferizaj, sot pritet të caktohet masa e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve

Prishtinë | 18 Gus 2024 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore e Ferizajt sot pritet të caktojë masën e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve, zyrtarit policor, F.R dhe J.M, të cilët dyshohet se mbrëmjen e 16 gushtit vranë 89-vjeçarin S.S, në Bibaj të kësaj komune.

Kjo u konfirmua nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Ferizajt, Gentiana Hoxha.

“Ende nuk ka filluar seanca dëgjimore. Po, sot është paraparë të mbahet. Gjithsesi do t’ju njoftojë me kohë”, tha ajo për Klankosova.tv.

Dje, Prokuroria Themelore e Ferizajt, ka dhënë detaje në lidhje me rastin tragjik që ndodhi të premten e 16 gushtit në Bibaj.

Organi i akuzës, njoftoi se ekziston dyshimi se më 16 gusht të këtij viti, në rrugën “Engjëll Zefi”, i pandehuri F.R., “për motive të ulëta, me dashje që ta privojë nga jeta”.

“I pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike ka shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast ka vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Tutje, prokuroria tha se të pandehurit, në bashkëkryerje e kryen veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Kujtojmë se mbrëmë në një aheng familjar një 89-vjeçar ka mbetur i vdekur, si pasojë e plagëve të marra nga një person i cili është zyrtar policor, por që në momentin kritik ishte jashtë detyrës zyrtare.

Sipas policisë, pas kryerjes së veprës penale, zyrtari policor që ishte jashtë detyrës zyrtare është vetëdorëzuar në polici, ku me vete e ka pasur edhe armën që dyshohet se e ka kryer krimin.

Të ngjashme