Në gushtin e këtij viti Kosova u trondit nga vrasja e 48-vjecares, Armenda Aliut. Ajo u qëllua me 15 plumba pas shpine nga burri i saj, 61-vjeçari, Bajram Velija. Por edhe gati pas katër muajve që kur ndodhi krimi, Prokuroria ende nuk ka ngritur aktakuzë për autorin të cilit iu vazhdua edhe dy muaj paraburgimi. Kjo për shkak, sic thonë në Prokurori, të vëllimit të madh të lëndëve. Prokurorja e rastit thotë se po i pret edhe disa prova, për të kërkuar pastaj dënimin maksimal për Veliajn.
Pak ditë para se ta kryente vrasjen e rëndë, atë të gruas së tij, Armendës, 61-vjecari Bajram Velija, nga xhirollogaria e përbashkët bankare që kishte pasur me tashmë të ndjerën, e kishte tërhequr një shumë të parave pa u konsultuar me gruan e tij. Një ekspertizë financiare të cilën po e pret prokuroria e shtetit, dhe pastaj të përpilohet aktakuza për këtë rast.
Të dyshuarit për vrasjen, Bajram Velijajt, me kërkesën e Prokurorisë, Gjykata i ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.
Gazeta Express, për këtë rast, ka biseduar prokuroren Ervehe Gashi. Ajo deklaroi se shumica e ekspertizave për këtë rast janë përfunduar.
Sipas saj, do të intervistohet edhe taksisti i cili në momentin kritik ishte telefonuar nga tashmë e ndjera dhe kishte qenë duke e pritur që ajo të hipën në taksi.
“Shumica e ekspertizave më kanë ardhë. Kam kërku edhe hetim financiar. Ai vjen përmes masave të fshehta. Do ta marrë në pyetje edhe taksistin. Janë marrë në pyetje edhe disa dëshmitarë. Gjatë ditëve në vijim do ta marrim në pyetje edhe taksistin. Pastaj, pas gjithë këtyre do t’i marrim të gjitha provat dhe do të ngrisim aktakuzën”, ka deklaruar për Express prokurorja e rastit.
Ajo tha se në bazë të të gjitha provave, ky rast ka të bëjë me vdekje të dhunshme. Në bazë të të gjitha provave prokuroria pritet që të kërkojë për të dyshuarin burgim të përjetshëm.
“Përfundimi është se rasti ka të bëjë me vdekje të dhunshme me armë zjarri, ku disa prej tyre kanë qenë vdekjeprurëse. Për këtë vepër penale, vet mënyra e vdekjes, vrasja e anëtarit të familjes, hy në grupin e vrasjeve me karakter të rëndë. Të paktën 10 vite deri në burgim të përjetshëm jepen për këto raste. Në fjalën përfundimtare, unë e kam në plan që ta kërkojë dënimin më të ashpër për këtë rast. I mbetet gjykatës pastaj që të vendosë”, thotë tutje prokurorja e rastit.
Por aktakuza për këtë rast nuk pritet që të ndodhë gjatë këtij viti.
“Është fundi i vitit, janë shumë lëndë në procedurë. Po shpresojmë që të kryhet gjatë këtij viti. Edhe dy muaj kemi kërkua që t’i vazhdohet paraburgimi”, sqarohen nga prokuroria.
E ndërkohë, burim të përjetshëm për këtë rast po kërkon edhe pala mbrojtëse e tashmë të ndjerës, avokati, Arianit Koci.
Avokati Koci u shpreh se në bazë të provave që ai ka, del të jetë se vrasja u krye me paramendim.
“Në cilësinë e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara kam filluar me analizën e provave dhe dëshmive lidhur me vrasjen makabër të së ndjerës Armenda. Te gjitha provat tregojnë që vrasja ka qenë e paramenduar, e planifikuar mirë dhe se e njëjta, vrasja pra, është kryer në mënyrën më mizore të mundshme”, ka deklaruar avokati Arianit Koci.
Ai po kërkon dënim maksimal për të dyshuarin për këtë vrasje.
“Për shkak të mizorisë ekstreme dhe paramendimit, kjo vrasje është kualifikuar si vrasje e rëndë, dhe kryesi i veprës e meriton dënimin me burgim të përjetshëm”, deklaron tutje Koci.
E motivi i gjithë kësaj ngjarjeje të rëndë ende nuk dihet. Besohet se rastit i ka paraprirë një zënke që çifti kishte pasur në natën kritike me njëri-tjetrin
Vetëm gjatë vitit 2018, në Kosovë janë vrarë gjashtë gra brenda familjes, ndërsa janë raportuar mbi 1 mijë raste dhune të shumëfishtë ndaj tyre.
Në vitin 2017, viktima të gjinisë femërore kanë qenë gjithsej 4. Organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave në vend thonë se dënimet ndaj atyre që kryejnë vrasje janë shumë të ulëta.