Qyteti i Prizrenit dy ditë më parë u trondit nga një vrasje e dyfishtë që ndodhi në lagjen “Ortakoll”, ku të vdekur mbetën burrë e grua.
D.H dhe S.H kishin ardhur për pushime në Kosovë, por mëngjesi i së mërkurës doli të jetë tragjik për ta.
Ata u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre, ndërkaq nga dyshimet e para nga vendi i ngjarjes u tha se çifti është vrarë me armë zjarri, pasi aty u gjet arma e cila dyshohet të jetë përdorur, dhe e njëjta u konfiskua nga policia.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prizrenit në një përgjigje për Telegrafin kanë thënë se janë në kërkim të djalit të çiftit, i cili në ditën kritike nuk ka qenë prezent.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju konfirmon se, viktimat kanë qenë duke jetuar së bashku me djalin e tyre të vogël A.H, i moshës 35 vjeçare, i cili në ditën kritike nuk është gjetur në shtëpi”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
A.H sipas Prokurorisë dyshohet se ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi.
“Në bazë të informatave të sigurara nga ana e policisë, dyshohet se i njëjti ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi.
Prokuroria është në kërkim të personit në fjalë dhe në momentin që organet e ndjekjes arrijnë ta sigurojnë prezencën e tij, atëherë do të veprojë konform dispozitave ligjore deri në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike dhe sqarimit të të gjitha rrethanave të cilat janë relevante mbi zbardhjen e këtij rasti”, ka sqaruar Prokuroria.
Dy viktimat D.H., dhe S.H., kishin ardhur në Kosovë me datë 20 janar nga Suedia.