Inspektorati Policorë i Kosovës ka nisur hetimet për mënyrën se si Policia e Kosovës ka trajtuar kërcënimet që Mark Nrecaj i kishte bërë bashkëshortes së tij Valbona Nrecaj.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Arben Vrajolli nga Inspektoriati Policorë i Kosovës.
“Mund të konfirmojë se kanë filluar hetime për zyrtarët policorë” tha Vrajolli.
40 vjeçarja dhe vajza e saj 9 vjeçare u qëlluan për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit. Dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i viktimës.
KALLXO.com ka raportuar dje se pesë orë para vrasjes viktima ishte ankuar në polici për kërrcënimet që po i vinin nga ish burri por brenda pesë orësh Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e njeriut i cili po e kërcënonte ish-gruan e tij.
Në raportet zyrtare të siguruara nga KALLXO.com viktima ishte ankuar në ora 16:00 në Polici se po kërcënohej nga ish-bashkëshorti i saj.
Në një përgjigje zyrtare për KALLXO.com Policia e Gjakovës ka konfirmuar se ishte e njoftuar për kërcënimin por nuk kishte arritur ta identifikonte vendndodhjen e dorasit.
“Në ora 16:00 viktima ka raportuar se është kanosur nga i dyshuari. Policia i janë përgjigjur rastit, kanë ndërmarrë veprimet operative duke e kërkuar të dyshuarin në shtëpinë e tij dhe në lokacione të ndryshme, është tentuar të kontaktohet edhe përmes telefonit por i njëjti nuk është paraqitur” ka thënë Lirie Podrimja zyrtare për informim në Policinë e Kosovës.