Të akuzuarit Besim Maloku dhe Blerim Maloku sot kanë dalë para Gjykatës Themelore të Gjakovës në shqyrtimin fillestar rreth akuzës për vrasjen e dyfishtë të 9 marsit 2018.
Të akuzuarit Besim Maloku dhe Blerim Maloku, akuzohen nga Prokuroria se kanë privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, njëri ndër ta (Shani Maloku) ka qenë pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
I akuzuari Besim Maloku ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, ndërsa i akuzuari tjetër Blerim Maloku e ka pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale, mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim pa leje të armës.
Avokatja mbrojtëse e Blerim Malokut, Feride Xani ka deklaruar se e pranon fajësinë e të mbrojturit dhe ka kërkuar ndërprerjen e paraburgimit për Malokun për shkak se rasti është i një natyre tjetër me atë të Besim Malokut, ndërsa ka kërkuar edhe veçimin e procedurës për këtë rast.
Avokati i palës së dëmtuar, Naim Rudari, ka kërkuar nga Gjykata ta refuzojë fajësinë duke konsideruar që aktakuza ndaj të akuzuarit Blerim Maloku ka gabime faktike dhe të meta pasi që në aktakuzë përmendet qartë se Besim Maloku ka qenë bashkë me Blerim Malokun dhe se i njëjti është akuzuar vetëm për armëmbajtje pa leje.
Në seancën fillestare prokurori i shtetit Agron Matjani ka kërkuar nga Gjykata, që të mos e aprovojë pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Blerim Maloku sepse ka konsideruar se prania e tij në cilësinë e të akuzuarit është e domosdoshme, ndërsa ka thënë se propozimin e avokates mbrojtëse, Feride Xani, për ndërprerjen e paraburgimit për Blerim Malokun, ia lë gjykatës.
Gjykata e ka aprovuar kërkesën e avokates mbrojtëse, Feride Xani për ndërprerjen e paraburgimit.
Ndërsa në lidhje më të akuzuarin për vrasje të rëndë, Besim Malokun, gjykata caktoi shqyrtim të dytë në afat prej 30 ditësh, kohë kur pala e akuzuar duhet të paraqesë propozimin për rastin përkatësisht kundërshtimin e tij.
Sipas prokurorisë Besim Malokun po akuzohet për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku po ngarkohet vetëm për armëmbajtje pa leje.
Këto vepra janë kryer në fshatin Plloqicë të Malishevës.
Prokuroria në aktakuzë pretendon se Besim Maloku me dashje ka privuar nga jeta dy vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku, e gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Malokut.
Sipas aktakuzës, dy të akuzuarit kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besimi me vete ka pasur një pushkë automatike ndërsa Blerimi një pistoletë.
Aktakuza shpjegon se pasi që viktimat i kanë parë të akuzuarit, të njëjtit kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku. /Kallxo