60-vjeçari, Hasan Krasniqi që dje vrau bashkëshorten, renë dhe vetën e kishte pasur të ndaluar t’i afrohej gruas së tij më shumë se 50 metra. Gjykata Themelore fillimisht kishte vendosur që 60-vjeçari mos t’i afrohej as fëmijëve dhe gruas së tij për një vit, por me kërkesë së fëmijëve kjo masë kishte ndryshuar nga Gjykata e Apelit.
Hasan Krasniqi që gjatë ditës së djeshme dyshohet se vrau, bashkëshorten, renë e tij, e në fund edhe bëri vetëvrasje e kishte pasur të ndaluar që t’i afrohet gruas së tij. Madje, në vitin 2017 ai e kishte të ndaluar t’i afrohej edhe fëmijëve të tij.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë për Insajderin detaje rreth konfliktit të mëhershëm që kishte familja Krasniqi. Fillimisht gjykata i kishte ndaluar për 1 vit që Hasan Krasniqi t’i afrohej gruas dhe fëmijëve të tij. Më shumë se 50 metra nuk kishte pas të drejtë t’i afrohej. Por dy muaj më pas ky vendim kishte ndryshuar.
Në përgjigjën dhënë Insajderit nga gjykata thuhet se me 7 gusht të 2017-s gjyqtari ka pranuar rastin për familjen Krasniqi. Teksa me 14 gusht, gjykata i kishte vendosur ndalesë, Hasan Krasniqit që të mos i ofrohej bashkëshortes, Hysnie Krasniqit dhe dy fëmijëve të saj A.K dhe K.K. Kjo masë ishte caktuar për 12 muaj.
“Me datë 14.08.2017 është vendosur nga Gjykata dhe ju është NDALUAR palës përgjegjëse H.K, që mos t’i ofrohet palës së mbrojtur H.K, dhe fëmijëve të saj A.K dhe K.K, në një distancë prej 50 metra në vende publike, në një distancë prej 50 metra nga vendi ku ajo jeton me fëmijët e saj, në një distancë prej 50 metra në vendin ku pala e mbrojtur dhe fëmijët e saj punojnë, si në pikën -II-, të dispozitivit të aktvendimit dhe në pikën -III-, të njëjtit aktvendim i është përcaktuar se urdhri zgjat 12 muaj”, thuhet nga gjykata për Insajderin.
Vendimi i Gjykatës Themelore ishte prishur pjesërisht nga Gjykata e Apelit. Si, rrjedhojë me kërkesë të palës së mbrojtur (fëmijëve), ishte kërkuar tërheqje e masës për ndalim. Ndërsa bashkëshortes e kishte sërish të ndaluar t’i afrohej në distancë për 50 metra.
Me datën 25 shtator të 2017-s pjesërisht ishte tërhequr kërkesa për urdhër mbrojtje vetëm në raport me fëmijët e palës së mbrojtur siç edhe vendosur me aktvendimin e kësaj, ky vendimi ka mbetur i pa ndryshuar.
Të hënën, me 22 prill, kryefamiljari Hasan Krasnqi vrau gruan e tij, nusen e djalit dhe së fundmi vetën. U raportua se çifti kishte vazhdimisht konflikte.