Vrasja e trefishtë në Deçan- Njohësi i çështjeve të sigurisë tregon se kur duhet të publikohet fotografia e të dyshuarit!

Prishtinë | 27 Nën 2021 | 18:03 | Nga Ekonomia Online

Mbrëmjen e djeshme Deçani u trondit nga një akt kriminal ku mbetën të vdekur tre persona.

Si pasojë e të shtënave me armë zjarri në drejtim të një autobusi me nxënës, humbi jetën shoferi  dhe dy nxënës.

Në lidhje me këtë ngjarje janë deklaruar sot edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Policisë Samedin Mehmetaj.

Mehmataj në deklaratën e tij para mediave tha se  në lidhje me këtë ngjarje mund të ketë më shumë se një të dyshuar.

Ai përjashtoi mundësinë e një sulmi të mundshëm terrorist në këtë rast.

Në lidhje me këtë akt kriminal ka folur për Blic edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.

Ai tha se në momentin kur shteti ofron para për të bashkëpunuar në kapjen e autorit të ngjarjes, atëherë kjo është faza kur shteti nuk ka kapacitete për të kapur autorin dhe kërkon ndihmën e qytetarëve.

“Në rend të parë duhet pritur hetimet dhe rezultatet e tyre të para e që në rastin tonë pas 78 orësh duhet të identifikohet kryesi i mundshëm i aktit makabër dhe nëse nuk mund të gjendet personi atëherë të publikohet fotoja e dyshuarit. Ndërsa në lidhje me ofrimin e parasë për të kapur kryesin kjo është faza ku shteti nuk ka kapacitete për të kapur dhe kërkon ndihmën e qytetareve përmes shpërblimit financiar për informacion”

“Por institucionet tona kanë gjitha kapacitet për të ofruar profesionalizëm që hetimi për të kapur personin e dyshuar të behet shpejt” deklaroi Shala.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, por edhe shumë akterë të tjerë kanë kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve në identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj ngjarje.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut e ka dënuar sulmin me armë zjarri në Deçan ku vdiqën tre persona dhe kanë kërkuar zbardhjen e plotë të rastit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme