Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Baki Brahimi, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën “Vrasje e rëndë”, ndaj djalit të axhës së tij Gazmend Brahimi.
I pandehuri Baki Brahimi, dyshohet nga Prokuroria se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.
Baki Brahimi dyshohet se fillimisht e ka goditur me furgonin e tij tashmë të ndjerin e më pas me armë zjarri.
Sipas të afërmve të viktimës dhe dorasit, dyshja kishin pasur vazhdimisht probleme.
Kushërinjtë kishin pasur probleme mes vete edhe ditën e diel, madje i dyshuari kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të shtëpisë së viktimës.
Azem Ejupi, avokati i të dyshuarit Baki Brahimi, ka dhënë detaje për Gazetën Express për vrasjen që dyshohet se lidhet me mosmarrëveshje rreth pronës.
Avokati Azem Ejupi, tha se klienti i tij, kur është marrë në pyetje nga prokurori nuk e ka mohuar se të ndjerin fillimisht e ka goditur me furgonin e tij, derisa i ndjeri ishte në biçikletë.
“Është deklaru para prokurorit. Ai (i dyshuari), thotë se gjatë rrugës e ka taku me biçikletë (të ndjerin), dhe e ka përplas me furgonin e tij, nuk e mohon atë. Gjatë rrugës e ka taku të ndjerin dhe e ka përplas, ashtu është deklaru ai në polici”, tha avokati.
Sipas deklaratës së të dyshuarit, të cilën e përfolë avokati i tij Azem Ejupi, mosmarrëveshja ka nisur pasi i ndjeri i ka vendosur tela (rrethoja), para derës dhe ia ka dëmtuar të mbjellurat.
Sipas avokatit të tij, i dyshuari është shprehur se dje ka marrë rrugën për t’u paraqitur në stacionin policor në Podujevë, por gjatë rrugës ka hasur tashmë të ndjerin me biçikletë dhe fillimisht e ka goditur me furgonin e tij, e më pas e ka goditur me dy plumba në kokë.