Organet e hetuesisë ende nuk kanë arritur që t’u bien në gjurmë personave të dyshuar për vrasjen e 50 vjeçarit Qamil Demiri në Nekoc të Drenasit. I dyshuari kryesor për këtë rast po besohet të jetë djali i Shaban Sylës, Leutrimi, që bashkë me disa të tjerë janë arratisur. Prokuroria e Shtetit po i ngarkon ata me tre vepra penale. Gjatë ditës së djeshme,Shaban Syla, nga burgu përmes telefonit ka thënë se djemtë e tij do t’i dorëzohen shpejt policisë, por kjo s’ka ndodhur.
Një person ka mbetur i vrarë në Nekoc të Drenasit mbrëmjen e së shtunës, pasi është qëlluar me armë zjarri. Në konflikt dyshohet se kanë qenë të përfshirë dy familje. Ajo e Shaban Sylës i dënuar në rastin “Bllaca 2”, dhe familja Demiri. Ende nuk është arrestuar asnjë person për këtë rast, ani se disa persona tashmë janë të dyshuar, por të njëjtit gjenden në arrati. I dyshuari kryesor, besohet të jetë Leutrim Syla, djali i Shaban Sylës.
Prokuroria e Shtetit, në një deklaratë për Express ka bërë me dije se ndaj të dyshuarve rëndojnë tri vepra penale. “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe ” Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Duke iu referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke i zhvilluar hetimet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në drejtim të veprave penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe ” Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Aktualisht të dyshuarit, ndodhen në arrati”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
E garanci se gjatë ditës së sotme të dyshuarit do t’i dorëzohen policisë ka dhënë gjatë ditës së djeshme në një bisedë telefonike i burgosuri për tentim vrasje, Shaban Syla.
“Djemtë e mi, për pak orë do të vet dorëzohen në stacionin e policisë. Leutrim Syla ka pas armë. Ai atë armë e ka mbajte për ta mbrojtur familjen pas sulmit me maska, nga njerëz të armatosur. E që besojmë që janë djemtë e Gani Gecit”, thotë Syla.
Nga familja e viktimës nuk kanë dashur që të deklarohen rreth këtij rasti.
Ndërkohë policia i tha sot Gazetës se ende nuk është arrestuar asnjë person për këtë rast.
“Ne jemi duke i vazhduar hetimet. Ende asnjë person nuk është arrestuar për këtë rast”, ka thënë Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.
Tutje nga Policia kanë theksuar se pas një mos marrëveshje në mes tre të dyshuarve dhe katër viktimave meshkuj kosovar, njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri, ku ka plagosur një person, ndërsa viktimat tjera janë të lënduar nga mjetet e mprehta.
I plagosuri nga arma e zjarri, nuk u ka mbijetuar plagëve, ndërsa viktima tjera janë jashtë rrezikut për jetë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar gëzhoja.