Vrasja në “Kodrën e Trimave”, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarës

Prishtinë | 21 Gus 2024 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës N.M për vrasjen e një burri me armë zjarri në mbrëmjen e së martës në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj.

“Lidhur me rastin e vrasjes së rëndë në rrugën “Ismet Krasniqi” në Prishtinë iu njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti për Krime të Rënda, ka dalë në vendin e ngjarjes, nga aty ne bashkëpunim të plotë me policinë e njësitë relevante kanë marrë veprime hetimore, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Prokuroria njofton se me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në IML, për obduksion, ndërsa e dyshuara (56 vjeçe) është dërguar në mbajtje, për shkak të veprës penale “Vrasja e rënde”, sipas KPRK-se, si dhe është sekuestruar arma, si mjet i kryerjes së veprës penale.

“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë rezultatet nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë”, ka deklaruar Prokuroria.

Po ashtu bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente.

Lidhur me rastin përmes raportit 24-orësh të së mërkurës po ashtu Policia e Kosovës ka njoftuar se në vendngjarjen e vrasjes në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.

Në këtë vend janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Është sekuestruar edhe një karikator me tre fishekë. Po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë.

“Vrasje e rëndë. Prishtinë / 20.08.2024 – 19:00. Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Të ngjashme