Disa banorë të zonës dhe pjesëtare të familjes së Vangjel Çikos, janë dëshmitarët e vetëm të vrasjes së ndodhur te shtunën në mbrëmje në Ksamil.
Mbi 20 persona janë shoqëruar nga policia e Sarandës në lidhje me këtë krim.
Në dëshmitë e tyre, fqinjët dhe të shoqëruarit thonë se kanë dëgjuar të shtëna dhe më pas kanë gjetur trupin e Çikos pajetë në veturën që ndodhej në oborrin e banesës.
Mësohet se policia po punon për shoqërimin dhe marrjen e deklarimeve të të afërmve të Aleksandër Bardhit, i vrarë një vit më parë duke konfirmuar pistën e hakmarrjes. Kjo pasi djali i viktimës, i riu Dhimitër Çiko është i arrestuar si një nga autorët e vrasjes bashkë me Amarildo Lamen dhe Albi Xhezairin.
Edhe për këtë të fundit që konsiderohej në arrati, është mësuar vendndodhja. Xhezairi është arrestuar pak muaj më parë, nga policia greke, për akuzën e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe ndodhet në një prej burgjeve te shtetit fqinj. Ai pritet të vijojë të qëndrojë në burg në këtë vend, deri në momentin kur të ekstradohet drejt Shqipërisë, ku duhet të përballet me akuzat për vrasjen e Aleksandër Bardhit në shtator të 2016-s.