Vrasja në lokalin “Bon Vivant” në gjykim për së treti herë

Prishtinë | 24 Jan 2022 | 10:51 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të tretë do të duhet t’i gjykojë Masar Gërdovcin dhe Sherif Krasniqin, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë se më 13 tetor të vitit 2014, në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, kishin privuar nga jeta rojën e këtij lokali, të ndjerin Rrahman Uka. Gjykata Supreme e ka kthyer rastin në rigjykim.

Për këtë akuzë, gjykata e shkallës së parë kishte marrë dy herë aktgjykime dënuese, mirëpo këto aktgjykime ishin anuluar nga instancat më të larta të gjyqësorit.

Këtë radhë, Gjykata Supreme ka vendosur që Themelorja sërish ta gjykojë rastin ndaj të akuzuarve Gërdovci dhe Krasniqi, pasi që sipas kësaj gjykate, të dënuarit janë shpallur fajtorë për veprime të cilat dallojnë nga ato për çka janë akuzuar.

Në vendimin e Supremes të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se aktgjykimi i Gjykatës së Apelit dhe ai i Gjykatës Themelore janë juridikisht të paqëndrueshëm, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale.

“I dënuari Gërdovci është shallur fajtor për veprimin konkret të privimit nga jeta e tani të ndjerit Rrahman Uka edhe pse për këtë është akuzuar i dënuari Sherif Krasniqi”, thuhet në vendim.

Gjykata Supreme në vendimin e saj thekson se me rastin e rigjykimit, gjykata e shkallës së parë duhet të marrë parasysh veprimet me të cilat të dënuarit ngarkohen dhe të vërtetojë se cilat veprime i ka ndërmarrë secili prej të akuzuarve, si dhe në çfarë mënyre manifestohet bashkëkryerja e tyre dhe dashja e përbashkët për privimin nga jeta të të ndjerit Rrahman Uka.

Ky vendim erdhi pas aprovimit të kërkesave për mbrojtje të ligjshmërisë, së paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Naim Rudari dhe Haxhi Millaku.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur dy herë për këtë rast, fillimisht në vitin 2019, ku kishte shpallur fajtor për vrasje vetëm të akuzuarin Gërdovci, e më pas në vitin 2020 ku i kishte shpallur fajtorë dy të akuzuarit për vrasje në bashkëkryerje.

Më 22 janar 2019 ishte shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarve, pasi paraprakisht ishte kuptuar se tre muaj para se të ngritej aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, prokuroria kishte asgjësuar provat në këtë rast.

Para shpalljes së aktgjykimit gjykatësja e ngarkuar me këtë lëndë, Suzana Çerkini, kishte kërkuar nxjerrjen e dy ekspertizave forenzike, por gjykatësja Çerkini më pas kishte njoftuar palët në procedurë se përmes përgjigjes me shkrim nga Agjencia Kosovare e Forenzikës, kishte njoftuar se arma me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale në këtë rast nuk ishte dorëzuar fare në Agjenci.

Lidhur me këtë gjykatësja Çerkini, kishte njoftuar palët se përmes një raporti nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë, është shkatërruar.

Me aktgjykimin e vitit 2019 Masar Gërdovci, ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasje, ndërkaq Sherif Krasniqi, ishte dënuar me 4 vjet e 3 muaj, për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, pasi që ndaj tij ishte bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Dënimi prej 4 vite e tre muaj ndaj Krasniqit kishte qenë bazuar në nenin 190, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës, i cili për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” parasheh dënimin me gjobë ose me burgim deri në 3 vite. Andaj vendimi i gjykatës për të shqiptuar një dënim më të lartë sesa ai që është paraparë me Kodin Penal të Kosovës konsiston në shkelje kushtetuese dhe ligjore nga ana e gjykatës, çfarë e bën këtë aktgjykim kundërkushtetues dhe të kundërligjshëm.

Ky vendim i Gjykatës Themelore në Prishtinë është ankimuar në Gjykatën e Apelit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësit e të akuzuarit të cilët kishin kërkuar rigjykim.

Kolegji i gjyqtarëve të Apelit i përbërë nga kryetari Xhevdet Abazi, gjyqtari referues Abdullah Ahmeti dhe anëtari Kreshnik Radoniqi, më 18 tetor 2019, kishin shqyrtuar ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, palës së dëmtuar dhe mbrojtësve të të dënuarve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, nuk ishte pajtuar me ricilësimin e veprës penale ndaj të akuzuarit Krasniqi, pasi që sipas saj gjykata e shkallës së parë gabimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Haxhi Millaku nuk ishte pajtuar me vendimin e gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë dënim më të lartë sesa ai i paraparë me Kodin Penal të Kosovës, pasi që sipas tij dënimi prej 4 vjet e 3 muaj ndaj të mbrojturit të tij, siç tha ai, e tejkalon maksimumin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Rigjykim për të mbrojturin e tij kishte kërkuar edhe avokati Besnik Berisha, duke konsideruar se i mbrojturi i tij, Masar Gërdovci nuk është kryes i veprës penale.

Pas ankesave, Gjykata e Apelit rastin e kishte kthyer në rigjykim duke konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit. Sipas Apelit, arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse.

Disa muaj pas kthimit në rigjykim Gjykata Themelore në Prishtinë kishte caktuar seancën e rigjykimit në këtë rast.

Pas rigjykimit, i cili kishte zgjatur dhjetë muaj, gjykata e shkallës së parë sërish kishte marrë aktgjykim dënues, ashtu që të akuzuarit Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, i kishte shpallur fajtorë për vrasjen e vrasjen e rojës në lokalit “Bon Vivant”.

Sipas aktgjykimit që ishte shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, i akuzuari Gërdovci ishte dënuar me 18 vite burgim për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, ndërsa të njëjtit gjykata i ka shqiptuar edhe 1 mijë e 500 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Ky aktgjykim ishte atakuar sërish në Gjykatën e Apelit, ka qenë Prokuroria ajo që ka kërkuar ashpërsimin e dënimit ndaj të akuzuarve. Ankesë mbi të gjitha bazat ankimore kishin ushtruar mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Naim Rudari dhe Haxhi Millaku.

Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e prokurorisë dhe dënimin ndaj të akuzuarit Krasniqi e kishte ashpërsuar në 8 vite burgim, derisa pjesa tjetër e aktgjykimit kishte mbetur e pandryshuar.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore në Prishtinë me këtë lëndë ka qenë e ngarkuar gjykatësja Suzana Çerkini e cila në trupin e parë gjykues kishte pasur gjykatësit Vesel Ismajli dhe Shpresa Hasaj – Hyseni, ndërkaq pas rigjykimit kishte qenë në trup gjykues me gjykatësen Shpresa Hasaj – Hyseni dhe gjykatësin Isuf Makolli.

Në Gjykatën e Apelit kjo lëndë ishte gjykuar dy herë nga kolegji i njëjtë, i përbërë nga gjykatësit Xhevdet Abazi, Abdullah Ahmeti dhe Kreshnik Radoniqi.

Ndërsa në Gjykatën Supreme, kjo lëndë është gjykuar nga gjykatësit Mejreme Memaj, Nesrin Lushta dhe Agim Maliqi.

Aktakuza ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 7 korrik 2015.

Ata akuzoheshin se në bashkëkryerje, kishin privuar nga jeta të ndjerin Rrahman Uka, duke kryer kështu veprën penale “Vrasje të rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kishin shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar, ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim” dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Uka, të merret me të pandehurit që t’i largojë nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali, pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngriten nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta, fillimisht Masar Gërdovci e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’iu shmangur goditjeve.

Në aktakuzë thuhet se Uka me t’u ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provojë nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç‘rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra ndërron jetë në QKUK.

Të ngjashme