Dy raste të vrasjes në tentativë janë paraqitur në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, të publikuar të premten në mëngjes.
Në Viti, të enjten, është arrestuar një person i cili ka shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave, një burri dhe një gruaje. Sipas raportit të policisë, i dyshuari pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor ka shtënë me armë. Në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar dy armë zjarri: një pushkë gjuetie dhe një pistoletë me gaz.
I natyrës së njëjtë ishte incidenti në Kaçanik.
Për shkak të një kontesti pronësor i arrestuari ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të dy burrave. Sipas policisë, njëri prej viktimave ka pësuar lëndim në kokë pasi është goditur me dorëz të pistoletës.
Janë sekuestruar nëntë gëzhoja të fishekëve, gjashtë të pistoletës e tri të pushkës. Të dyshuarit i janë sekuestruar po ashtu një pistoletë me 34 fishekë dhe një pushkë gjuetie me 27 fishekë. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Për vrasje në tentativë në Prishtinë të enjten është identifikuar dhe arrestuar një burrë kosovar. Atij i është konfiskuar një pistoletë. I dyshuari është dërguar në mbajtje. Bëhet fjalë për një rast që ka ndodhur më 1 korrik.