Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka vlerësuar të dështuar sistemin gjyqësor dhe prokurorial, pas dy rasteve të vrasjes së grave nga bashkëshortët e tyre, javën e fundit.
Ai tha se krimet kundër grave përveç dështimit të sistemit, tregojnë pasojat e ndëshkimeve të ulëta.
“Ajo që ndodhi të premten dhe të martën, këto krime kundër grave, tregojnë pasojat e ndëshkimeve të ulëta e jo rrallë herë mosndëshkueshmërisë. Tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor e prokurorial për vendosje të drejtësisë në shtetin tonë. Dënimet e mangëta, janë shkelje mbi të drejtat e viktimave. Këto, të mbuluara me mungesën e llogaridhënies dhe transparencës në detyrë nga sistemi i drejtësisë, nuk falen nga qytetarët tanë. Si zë i tyre kemi përgjegjësinë të ndërmarrim masa për të vendosur llogaridhënien aty ku është e domosdoshme, e për të kërkuar drejtësinë, me çdo kusht aty ku ajo mungon”.
“Në linjë me synimet e përbashkëta me Këshillin e Evropës për rritje të transparencës dhe qasje për publikun në vendimet e gjyqësorit, puna dhe çdo veprim procedural i çdo gjyqtari e prokurori duhet të jetë transparent”.
“Ligjërisht e moralisht, askujt nuk mund t’i mohohet e drejta në gjykim të drejtë, e as e drejta në mbrojtje të barabartë me ligj. Që të kemi dënime meritore për burrat vrasës, e drejtësi për gratë viktima”.
“Vullneti ynë politik është i palëkundur. Jemi të vendosur të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe të drejtat e grave dhe vajzave në Kosovë. Asnjë përpjekje nuk është shumë e madhe në këtë betejë thelbësore për dinjitetin dhe për barazinë”.
“Për veprimet e planifikuara dhe ato të domosdoshme në kuadër të përgjigjes ndërinstitucionale, do të ia kaloj fjalën Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, njëherit Koordinatore Kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, e më pastaj për të njëjtën temë do të ia jap fjalën edhe zëvendëskryeministres e cila vjen nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi, dhe pas këtyre dy fjalëve vazhdojmë me pikat e rendit të ditës”, tha Kurti.