Të paktën 11 civilë afganë janë vrarë dhe 16 të tjerë janë plagosur sot pasi një helikopter i NATO-s e sulmoi një shtëpi ku kryengritësit talibanë ishin strehuar në provincën Logar, në lindje të kryeqytetit afgan, Kabul, njofton guvernatori lokal.
Ende nuk është konfirmuar se sulmi është kryer nga një helikopter i NATO-s apo SHBA-së, por një zëdhënës i Përkrahjes së Patundur, misionit të udhëhequr nga NATO në Kabul, ka thënë për Reuters se NATO është në dijeni të raporteve për këtë sulm dhe se është duke i analizuar ato, transmeton Express.
Guvernatori vendor, Halim Fedaee, ka thënë se incidenti ndodhi në rrethinën Dashte Bari.
“Talibanët u pozicionuan në një shtëpi civile dhe e sulmuan me raketë helikopterin e NATO-s. Pronari i shtëpisë iu përgjëruar atyre të largohen nga shtëpia e tij, por ata nuk u larguan. Helikopteri bëri një kthesë, u rikthye dhe e goditi këtë shtëpi ku u shkaktuan këto vdekje”, ka thënë ai.