Autoritetet e Burkina Fasos njoftuan se dy pjesëtarë të forcave speciale të Francës janë vrarë gjatë operacionit për lirimin e pengjeve. Në këtë operacion u shpëtuan katër pengje, në mesin e të cilave ishin dy francezë, një amerikan dhe një koreanojugor.
Ky operacion ishte urdhëruar për t’i liruar turistët francezë Patrick Picque dhe Laurent Lassimouillas, të cilët ishin zhdukur gjatë pushimeve në parkun kombëtar “Pendjari” në Benin më 1 maj. Identiteti i pengjeve nga Shteteve të Bashkuara dhe Koreja jugore nuk është bërë i ditur, por në një deklaratë u tha se të dyja pengjet janë femra.
Gjatë operacionit u dyshua se turistët francezë ishin rrëmbyer në Benin dhe më pas ishin dërguar matanë kufirit në Burkina Faso, ku militantët islamikë dhe grupet tjera i kanë shpeshtuar sulmet muajve të fundit.
Përmes një deklarate, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, shprehu ngushëllime për dy ushtarët e vrarë të vendit të tij. Ai i falenderoi forcat speciale dhe të gjithë personat që ndihmuar për lirimin e pengjeve.
Në një deklaratë tjetër, ministrja franceze e mbrojtjes, Florence Parly, i falenderoi autoritetet e Beninit dhe Burkina Fasos për ndihmën e tyre në këtë operacion të ndërlikuar dhe Shtetet e Bashkuara për, siç tha ajo, përkrahjen e çmueshme të Shteteve të Bashkuara.
Ushtria franceze njoftoi se në aksionin e forcave speciale janë vrarë katër rrëmbyes të dyshuar, duke shtuar se të dhënat e inteligjencës janë siguruar nga ushtria amerikane.
Franca ka 4500 trupa në Mali, Burkina Faso, Niger dhe Çad, të cilat janë pjesë e misionit “Barkhane” që synon ofrimin e ndihmës për forcat lokale në luftën kundër grupeve xhihadiste, shkruan “The Guardian”.