Zyrtarët afganë thonë se sulmi i sotëm i personave të armatosur kundër Ambasadës së Irakut në kryeqytetin Kabul në Afganistan, ka përfunduar. Për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS).
“Të gjithë sulmuesit janë vrarë”, thuhet në kumtesën e sotme të Ministrisë së brendshme të Afganistanit, afro katër orë pasi militantët e kishin filluar sulmin e tyre.
Në kumtesë, po ashtu, theksohet se një oficer i policisë është plagosur lehtë, ndërsa asnjë anëtar i personelit të Ambasadës së Irakut nuk është prekur nga ky sulm.
Ministria tha se sulmi kishte filluar pas një sulmi vetëvrasës në hyrjen kryesore të ambasadës, duke e krijuar mundësinë që tre persona të armatosur të hynin në ndërtesë, që gjendet në lagjen qendrore, Shar-e-Nav, të Kabulit.
Derisa pjesëtarë të sigurisë ende luftonin iundër personave të armatosur, Ministria e jashtme e Irakut njoftoi se diplomatët e lartë irakianë ishin evakuuar në Ambasadën e Egjiptit.
Sulmi ndodhi dy javë pasi Ambasada e Irakut e mbajti një konferencë për gazetarë për ta festuar rimarrjen e qytetit të Mosulit në Irak nga luftëtarët e Shtetit Islamik.