Lyra McKee, gazetare 29-vjeçe, është qëlluar për vdekje nga një person pas trazirave që po ndodhin në Londonderry, qytet në Irlandën Veriore.
Siç raporton BBC, disa republikanë po fajësohen për vrasjen e saj. Policia po bënte disa kërkime në zonën e njohur Creggan, ku më pas ky grup që policia thotë janë republikanë, hodhi edhe bombola benzine drejt policisë.
Ndihmës Shefi i Sigurisë në Polici, Mark Hamilton, thotë se këto trazira janë duke u trajtuar si incident terrorist.
“Rreth orës 23:00, sipas orës lokale, mbrëmë një person i armatosur u shfaq para nesh dhe nisi të shtënat në drejtim të policisë, me këtë rast, u vra gazetarja që ishte në vendin e ngjarjes. Ajo fillimisht u plagos rëndë, por rrugës për spital ajo fatkeqësisht vdiq”, ka thënë Hamilton.
Hamilton citohet të ketë thënë se disa republikanë planifikonin sulme në këtë qytet dhe policia po kryente një operacion hetimi ndaj tyre.