Policia e Kosovës ka konfirmuar se është vrarë një nga sulmuesit në Banjskë të Zveçanit.
Sipas policisë, pas rrezikut të shfaqur nga sulmet sporadike të grupeve kriminale, në vetëmbrojtje, policia është detyar t’i kundërpërgjigjet grupeve kriminale “ku referuar informacioneve të deritanishme, një nga sulmuesit është vrarë”, raporton Ekonomia Online.
Më tej, policia tha se situata në veri të vendit, po vazhdon të jetë e tensionuar, ku edhe përkundër sulmeve ndaj tyre, policia po vazhdon angazhimin duke krijuar perimetër të sigurisë.
“Sulmuesit profesional në numër të konsiderueshëm, të maskuar e të uniformuar me uniforma të ndryshme, të armatosur me armë të rënda, granata, mjete ushtarake (zolla), disa mjete të blinduara, po shfrytëzojnë hapësira dhe objekte të ndryshme, private, përfshirë në dhe përreth manastirit në Banjska, për të kryer lëvizje, strehim dhe pozicionim për gjuajtje me armë zjarri ndaj njësiteve policore të PK-së”, thuhet tutje në reagim.
Deri më tani, policia ka mbyllur dy pikat kufitare në veri, atë në Jarinje dhe Bërnjak, teksa ka bërë të ditur se koordinimi i policisë me institucionet vendore e ndërkombëtare po vazhdon.