“Na pret një periudhë e vështirë, do të duhet të flasim, të vazhdojmë rrugëtimin tonë evropian. Do të ketë negociata të vështira dhe lëshime jo të lehta edhe ndaj Prishtinës, por ne gjithmonë do ta mbrojmë Kosovën dhe Metohinë si pjesë e territorit të Serbisë”, është një nga mesazhet e para të presidentit serb pas shpalljes së rezultateve preliminare të zgjedhjeve dhe deklarimit të fitores së listës së tij.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur mbrëmë para mediave, gati dy orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve në zgjedhjet parlamentare dhe lokale që u mbajtën sot.
Para anëtarëve të partisë së tij dhe kryetarit të enklavës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë të vetëquajtur Republikë Serbe, Millorad Dodik, ai tha se në Beograd “pa dyshim, lista “Serbia nuk duhet të ndalet” fitoi më shumë vota edhe pse ata thanë se nuk do të ndodhë diçka e tillë”.
Lista “Serbia nuk duhet të ndalet” është lista e parë fituese në Beograd me 38.5 për qind, në vendin e dytë me 35 për qind është “Serbia kundër dhunës”, tha Vuçiq.