Vuçiq: Duhet të ballafaqohemi me realitetin në Kosovë

Prishtinë | 29 Tet 2017 | 14:30 | Nga

Shefi i shteti serb Aleksandar Vuçiq ka folur sot gjerë e gjatë për Kosovën duke bërë krahasime ndërmjet saj e Katalonjës.

Ka theksuar se në Katalonjë çdo gjë ka kaluar mirë e në Kosovë, sipas tij, me agresion u krijua situata që ka qenë dhe që tash duhet të ballafaqohemi me këtë realitet.

Ai ka treguar se çdo ditë ndeshet me kërkesat e përfaqësuesve ndërkombëtarë se duhet respektuar integriteti i Kosovës, ndërsa atyre iu përgjigjet se Serbia e ka Kushtetutën me të cilën s’e njeh Kosovën dhe se për këtë nuk ka pse të kundërshtohet, transmeton Koha.net.

Vuçiq ka treguar se Katalonja ka mbajtur njëfarë referendumi, ndërsa në Kosovë, sipas tij, nuk ka pasur referendum pos atij të vitit 1991, të cilin ai ka quajtur të rremë njësoj sikur e ka quajtur të rreme edhe Kushtetutën e Kaçanikut.

Ai ka falënderuar Spanjën për përkrahjen që ia ka bërë Serbisë, për siç thotë, vetëm për shkak të Katalonjës e Baskisë , njofton “novosti” i Beogradit.

Vuçiq është shumë i habitur pse po përkrahet integriteti i Spanjës e jo edhe i Serbisë.

“Kjo është dyfytyrësi ndërkombëtare” ka thënë ai, ndërsa për gjendjen e krijuar për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar ka fajësuar ish- udhëheqës serbë.

“Jemi vetë fajtorë sepse duhet ta dimë se ç’idiotë që kemi qenë kur e dërguam kërkesën në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me të cilën Kosova mori legjitimitetin për veprimin e vet. Atëherë në pushtet kemi pasur njerëzit si Tadiq e Jeremiq. Tani kjo po na vihet gurë në këpucë në të gjitha bisedat”, tha ai“.

Vuçiq ka theksuar se duhet ta ndërtojmë paqen, të kuptojmë se serbë në Kosovë ka ndërmjet 6-8 për qind e jo 80 për qind dhe se Serbica (Skenderaj) s’e ka pothuaj asnjë serb edhe pse toponimi, sipas tij, do të duhej ta thoshte të kundërtën. Ka porositur se nuk ka asgjë nga “do farë dëbimesh shqiptare” dhe se duhet pasur qasje racionale ndaj gjithë kësaj.

Në fund Vuçiq sërish ka folur për atë që ai e ka quajtur “për dyfytyrësi të tjerëve” për respektimin e të drejtës ndërkombëtare:

“Për dyfytyrësinë e tyre mund të flas e të shkruaj një decenie, por çfarë ka Serbia nga kjo. Për këtë arsye jam i lumtur që po do të fillojmë bisedimet, që të lirohemi nga mitet tona si dhe nga gënjeshtrat se çdo gjë në Kosovë është jona por edhe nga gënjeshtrat se atje nuk ka asgjë tonën”, ka nënvizuar Vuçiq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme