Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale të së dielës.
Nga votat e numëruara, ai fitoi mbi 55 përqind.
“Fitorja ime është e qartë si kristal. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për ne, e cila tregon se çfarë drejtimi duhet të marrë Serbia”, tha Vuçiq, i cili është zotuar se do ta anëtarësojë Serbinë në Bashkimin Evropian, porse do të forcojë edhe marrëdhëniet me Rusinë.
Në Kosovë, rreth 39 përqind e qytetarëve serbë me të drejtë vote morën po ashtu pjesë në zgjedhjet presidenciale serbe që u organizuan në territorin e Kosovës.
Procesi i grumbullimit të votave u udhëhoq nga misioni i OSBE-së në Kosovë, që hapi 4 qendra dhe 16 degë në veri dhe jug të vendit.
OSBE-ja dhe Policia e Kosovës e cilësuan të qetë dhe pa probleme gjithë procesin e grumbullimit të votave.
Në mbyllje të procesit të votimit, kutitë u dërguan në Serbi për shkaqe, siç u tha, sigurie.
Zgjedhjet presidenciale serbe u zhvilluan në territorin e Kosovës sipas një marrëveshjeje të arritur me misionin e OSBE-së dhe Qeverinë e Kosovës.