Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk ka dyshime që ka faktorë të jashtëm që kanë nxitur protestat e mbrëmshme para Parlamentit.
Madje, ai po thotë se kanë dëshmi që disa zyrtarë të shërbimeve rajonale janë të përfshirë në këto protesta që shpërthyen kundër masave që rekomandoi Vuçiq për shtetrrethim.
“Nuk kam dyshim se ata që kanë punuar për protestat e mbrëmshme kishin qëllimin për të zvogëluar pozicionin e Serbisë. Ne kemi dëshmi të përfshirjes së disa zyrtarëve të disa shërbimeve rajonale dhe ne mund të flasim për gjithçka tjetër më vonë, kur shërbimet tona bëjnë analizën”.
Për incidentet e mbrëmshme mes policisë dhe protestuesve që hynë në oborrin e Parlamentit, Vuçiq paralajmëroi dënime, shkruan B92.
“Të gjithë ata që morën pjesë në djegien e makinave dhe plagosën oficerët e policisë do të ndëshkohen dhe nuk do të ketë mëshirë. Nuk do të ketë asnjë kompromis me huliganët. Ne jemi gjithmonë të gatshëm për kompromise dhe bisedime politike, por kjo ndodh nëse ka kuptim”.