Vuçiq: Kam frikë se situata rreth Kosovës do të vendoset në mënyrë më të ashpër

Prishtinë | 12 Dhj 2023 | 10:15 | Nga Ekonomia Online

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “frikohet se situata rreth Kosovës dhe Republikës Serbe do të vendoset në një mënyrë gjithnjë e më të ashpër në periudhën e ardhshme”.

Ai ka përsëritur se ekziston synimi që Marrëveshja e Ohrit të përfshihet në kapitullin e negociatave, që ka të bëjë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Tani do t’ju shpjegoj se me çfarë teknike ata duan të arrijnë qëllimin e tyre. Që Marrëveshja e Ohrit të pranohet në tërësi me pëlqimin e Serbisë edhe me pjesët që ne i refuzuam, të cilat kanë të bëjnë me Kombet e Bashkuara, agjencitë, institucionet dhe organizatat në OKB, që të jetë pjesë e kapitullit, dhe më pas të bëjnë një raport të posaçëm të BE-së që do të përcillet në OKB, dhe për këtë as nuk duhet të na pyesin”, ka thënë Vuçiq për televizionin në shërbim të regjimit aktual serb “TV Happy”.

Sipas fjalëve të tij, “është e palogjikshme të mos na pyesin, por nuk mund të na pyesin dhe ky dokument bëhet pjesë e dokumentacionit të Kombeve të Bashkuara, pas së cilës shumë vende të tjera mund t’i referohen këtij dokumenti”.

“Ata janë të gatshëm t’i bëjnë të gjitha këto. Meqë paraprakisht unë do t’i paralajmëroj Kombet e Bashkuara për një gjë të tillë se kjo është e pamundur dhe nuk guxon të bëhet, atëherë ata do të thonë, e keni Vuçiqin, ai po na krijon probleme, por ju merruni me të”, ka shpalosur “ëndrrat” e tij Vuçiqi.

Vuçiq ka pretenduar se sesioni i ardhshëm i Këshillit Evropian do të jetë më interesantja deri më tani, për shkak të vendimeve që duhet të merren, por shprehu keqardhjen që për shkak të zgjedhjeve në Serbi, nuk do të ndiqet me vëmendjen që meriton.

“Seanca e Këshillit Evropian do të jetë ndoshta më interesantja, ne do të merremi me zgjedhjet tona dhe nuk do të kemi kohë të merremi me të përveçse në mënyrë sipërfaqësore, që shpesh na rëndon si komb dhe si shtet. Do të jetë seanca më interesante ndonjëherë për shkak të të gjitha vendimeve që duhet të merren”, ka thënë Vuçiqi.

I pyetur nëse do të ketë kërcënime, presidenti serb thotë se do të ketë.

Ai ka pretenduar se Serbia “është në rrugën evropiane”, por, sipas propagandës së tij tashmë të njohur, ajo i ka dhënë vetes të drejtën të udhëheqë “një politikë liridashëse”.

“Sot Serbia është ndoshta i vetmi vend, sigurisht në këtë pjesë të Evropës, ndoshta në të gjithë Evropën, që mund të jetë në rrugën evropiane dhe që i ka dhënë vetes të drejtën të udhëheqë një politikë të jashtme të pavarur dhe liridashëse”, ka thënë Vuçiq.

Ai gjithashtu ka përkujtuar se Serbia nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë, sepse ajo ka interesat e veta.

Vuçiq ka pretenduar se detyra e tij është të udhëheqë vendin dhe “të jetë sa më i paanshëm”.

“Ata që janë skifterët kundër Serbisë do të jenë edhe më të egër, siç është Viola von Cramon, me të gjithë të tjerët që po vijnë të “na shesin mend”, të na shpjegojnë se kjo apo ajo nuk është zgjedhje e mirë, se këtu nuk ka demokraci, dhe se ata janë demokratë të mëdhenj. Dhe këtë do ta bëjnë deri në zgjedhjet e majit”, ka thënë Vuçiq.

Të ngjashme