Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “ajo që ndodhi sot në Pragë hyn në librat e historisë”.
Vuçiq komentoi kështu kërkim-faljen e presidentit të Çekisë, Millosh Zeman, për bombardimin e ish-Jugosllavisë nga NATO-ja, më 1999.
Zeman, atëbotë kryeministër i Çekisë, ka dhënë pajtimin e tij.
“Dua të kërkoj falje për bombardimin e atëhershëm të Serbisë. Dua ta lus popullin serb për falje. Gjithë kohën më ka munduar kjo. Kur është vendosur për bombardimet, ne kemi qenë vetëm disa javë të anëtarësuar në NATO. Kemi qenë të fundit që kemi dhënë pajtimin”, tha të martën Zeman, në takim me Vuçiqin.
Presidenti çek i kërkon falje Vuçiqit për bombardimin e ish-Jugosllavisë
Duke reaguar ndaj deklaratës së Zemanit, Vuçiq tha se ajo është “historikisht e rëndësishme” dhe se Zeman është presidenti i parë i një vendi që i kërkon falje Serbisë për bombardimet.
“Sot kemi dëgjuar që dikush që ka marrë pjesë në bombardimet e Serbisë, të thotë: ‘na falni’. Zeman është i vetmi që, pas shumë vitesh, pa u pensionuar, por me mandat, e thotë një gjë kaq të madhe dhe të rëndësishme”, tha Vuçiq, duke folur për Tv Pink të Serbisë nga Praga.
Fushata ajrore e NATO-s mbi caqet e ushtrisë së atëhershme jugosllave ka pasur për qëllim ndaljen e dhunës në Kosovë.
Pas fushatës, që ka zgjatur 78 ditë, ushtria serbe është tërhequr nga Kosova.
Zeman tha se mbështetja për sulmet e NATO-s ishte rezultat i “mungesës së guximit”.