Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar sot nga përfaqësuesit e Kosovës që sa më parë të vazhdojë dialogu në Bruksel, pasi që, siç tha ai, nevojitet qetësimi i gjendjes dhe ulja e tensioneve.
“Mendojmë se vazhdimi i dialogut është kyç, kjo është kërkesa ime për njerëzit në Bruksel dhe Prishtinë”, ka thënë Vuçiq, raporton “Fonet”
“Do të ishte më e lehtë për mua që ofendimeve dhe kërcënimeve t’u përgjigjem me të njëjtën gjuhë, por më e rëndësishme për mua është stabilizimi i situatës”, ka shtuar Vuçiq gjatë një konference me gazetarë në Qeverinë e Serbisë.
“Nuk mundet që një urdhërarrest, një hetim dhe një akuzë për krimet më të rënda të jetë arsye e mjaftueshme që të kërcënohet mbijetesa e një populli të tërë. Kjo është e papranueshme dhe këtë shteti i Serbisë, dhe askush tjetër në botë, nuk mund ta pranojë”, ka paralajmëruar Vuçiq.
Ndërkaq, për sa u përket deklaratave të fundit se Kosova do ta padis Serbinë për gjenocid, Vuçiq tha: “Nuk e di në çfarë baze do ta bëjnë këtë”.