Vuçiq në vizitë dyditore në Moskë, sot takohet me Putinin

Prishtinë | 23 Qer 2020 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka udhëtuar sot në mëngjes për në Moskë në një vizitë dyditore, ku gjatë ditës do të takohet me presidentin e Rusisë, Vlladimir Putinin, njoftojnë mediat e Beogradit.

Vuçiqin në Aeroportin e Moskës e priti zëvendësi i ministrit të Jashtëm të Rusisë, Aleksandar Grushko dhe ambasadori serb në Rusi, Mirosllav Llazanski.

Ai udhëtoi në Moskë dy ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare e komunale në Serbi, të cila ky i fitoi bindshëm, dhe po ashtu dy ditë para takimit në Bruksel të përfaqësuesve të Serbisë e të Kosovës.

Më 27 qershor përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, ndërsa në gjysmë të korrikut në Paris.

Koha.net rikujton se Vuçiqi ka deklaruar interesimin e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, por miqësinë me Rusinë e liderin e këtij vendi, Putinin, nuk e fsheh.

Të ngjashme