Kur në pyetje është marrëveshja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, preferon të bëhen hapa të vegjël në këtë drejtim, sesa çështja të përfundojë njëherë e përgjithmonë përmes një marrëveshjeje të madhe që do të përfshinte njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Duhet të ndryshojmë situatën në terren me hapa të vegjël, të ndërtojmë besimin mes dy palëve dhe më pas të shohim se si mund t’i qasemi çdo gjëje tjetër. Ne nuk duhet të ëndërrojmë për diçka që të gjithë e dimë se nuk do të ndodhë”, ka thënë Vuçiq në një intervistë për prestigjiozen amerikane Bloomberg
Vuçiq gjatë intervistë ka shprehur mirënjohje Moskës zyrtare për mbështetjen e saj në lidhje me Kosovën.
Po ashtu, sipas “Bloomberg”, arsyeja e qëndrimit të Serbisë është se ajo e blen gazin nga Rusia me çmim më të ulët se çmimi i tregut.
Vuçiq tha se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian është qëllimi përfundimtar, por se Serbia ende refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe t’i bashkohet politikës së jashtme evropiane të Bashkimit.
“Megjithatë, do të ishte gabim të supozohet se qeveria e tij mbështet plotësisht lidershipin në Moskë”, vuri në dukje Vuçiq.
“Ne nuk jemi gjithmonë entuziastë për disa nga qëndrimet e tyre”, tha Vuçiq.
“Ne kemi marrëdhënie tradicionalisht të mira, por kjo nuk do të thotë se mbështesim çdo vendim apo shumicën e vendimeve që vijnë nga Kremlini”, tha presidenti i Serbisë.
Vuçiq ka thënë në një intervistë për “Bloomberg” se prej muajsh nuk ka folur me presidentin rus Vladimir Putin.
“Ne kemi thënë që në fillim se nuk jemi në gjendje dhe se nuk mund ta mbështesim sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës”, tha Vuçiq.
“Për ne Krimea është pjesë e Ukrainës, edhe Donbasi dhe kështu do të mbetet”, tha Vuçiq dhe shtoi se “më e keqja nuk ka ardhur ende” për të dyja palët në konflikt.