Vuçiq: Do ta pranoj vullnetin e popullit

Serbi | 02 Pri 2017 | 12:52 | Nga

Lideri i Partisë Përparimtare Serbe (PPS) dhe kryeministër aktual Aleksandar Vuçiq gjatë votimit sot për zgjedhje presidenciale, ku ai është njëri nga kandidatët, u shpreh se Serbia në këto zgjedhje do të sigurojë stabilitet dhe vazhdimin e reformave dhe suksesin ekonomik.

“Shpresoj se Serbia me këto zgjedhje do të sigurojë stabilitet dhe vazhdimin e reformave ekonomike, suksesin ekonomik. Sidoqoftë, dëshiroj të besoj se askujt nuk do t’i shkojë në mendje ta destabilizojë Serbinë dhe ta bëjë atë që e premtonte në fushatën zgjedhore”, theksoi Vuçiq.

Ai shprehu bindjen se pjesëmarrja në zgjedhje do të jetë e madhe dhe se njerëzit në mënyrë demokratike do të vendosin për ardhmërinë e tyre.

Duke iu përgjigjur pyetjes të gazetarëve për pritjet e fitores në raundin e parë, Vuçiq theksoi se do të pranojë vullnetin e popullit në Serbi.

“Çdoherë shpresoni për atë. Shpresoni për sukses, fitore, ndërsa popullit i takon të tregojë çfarë dëshiron dhe mendon. Unë çdo vullnet të njerëzve në Serbi do ta pranoj dhe njoh dhe nëse humbas po të njëjtën sekondë do t’ua uroj kundërshtarëve të mi. Nëse është ndryshe, do të ishte më e ndershme, të paktën pas të gjitha fyerjeve që i drejtuan dhe fushatën më të ndyrë që zhvilluan, të urojnë. Sido që të jetë, lidhur me mua, unë jam tërësisht i qetë, kam punuar më së miri që kam mundur për vendin tonë, ndërsa nëse populli do të thotë se ka qenë mjaftueshëm ose jo, atë do ta shohim sonte”, porositi Vuçiq.

Në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm, janë hapur vendvotimet në Serbi në të cilat qytetarët do të votojnë për të zgjedhur presidentin e ri të shtetit, raporton Anadolu Agency.

Në garën për president të Serbisë janë 11 kandidatë. Në zgjedhjet e sivjetme për kreun e shtetit, qytetarët e Serbisë do të votojnë në 396 qendra të votimit, ndërsa të drejtë vote kanë 6.724.949 qytetarë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme