Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e negociatave me Prishtinën, por me një kusht.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Beogradi është i gatshëm për vazhdimin e negociatave me Prishtinën pasi Kosova të heq vendimin për rritje të taksës për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja.
“Në çdo dialog duhet të ekzistojnë rregulla që duhet të respektohen nga të dyja palët. Presim që Prishtina ta realizojë punën e saj dhe në mënyrë të civilizuar të heq taksën ndaj mallrave nga Serbia. Nëse e bëjnë këtë, jemi të gatshëm që menjëherë t’i vazhdojmë bisedimet”, deklaroi Vuçiq para gazetarëve, përcjell lajmi.net.
Ai ka thënë se nuk mund të parashikojë nëse Prishtina – pas dështimit për anëtarësim në INTERPOL – do ta pranojë heqjen e taksës.
“Kjo është një pyetje shumë e vështirë. Nëse dikush do të më thoshte më herët se është e mundur që ata të vendosin taksë të re, do të përgjigjesha se kjo i takon shekullit të 17 dhe jo 21. Nuk e di se çfarë do të bëjnë. Shpresoj që mos të ketë veprime të tilla në të ardhmen por duhet të jemi të gatshëm”, theksoi ai.
Duke iu përgjigjur kërkesës së Ministrit të Mbrojtjes serb, Aleksandar Vulin që Serbia ta ndryshojë raportin me Malin e Zi dhe Maqedoninë pas mbështetjes së tyre për Kosovën në INTERPOL, Vuçiq theksoi se Podgorica dhe Shkupi kanë dëshmuar se Prishtina për ta është më e rëndësishme se Beogradi.
“Ne e kemi kuptuar porosinë. Kërkojmë raporte të mira por i kemi kuptuar prioritetet e tyre. Ne do të sillemi me përgjegjësi dhe seriozitet, duke i respektuar por edhe duke qenë të vetëdijshëm se ku qëndrojmë për ta dhe në raport me këtë do të sillemi në të ardhmen”, përfundoi ai.