Vuçiqi “e din” se më 28 nëntor formohet Ushtria e Kosovës

Prishtinë | 30 Tet 2018 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, siç raportojnë mediat e Beograd, u ka thënë përfaqësuesve të serbëve të Kosovës “e di kur do të formohet Ushtria e Kosovës. Kjo do të ndodhë më 28 nëntor, kur festohet Dita e Flamurit Shqiptar”, transmeton Koha.net.

Siç është shprehur ai duke iu drejtuar sot përfaqësuesve të serbëve nga Kosova, “na pret një muaj shumë i rëndë” dhe se “si president i Republikës është shumë i shqetësuar”. Ka shtuar se shqiptarët “po përpiqen me forcë të rrëmbejnë rrjetin transmetues të energjisë elektrike nga Novi Pazari në veri të Kosovës”.

“Ata kundërligjshëm po përpiqen ta bëjnë këtë gjë dhe të akuzojnë EMS-ën tonë se po pengon qarkullimin e lirë të energjisë elektrike. Ndërsa këtë e bëjnë duke i shtyrë shqiptarët të vjedhin rrymën tonë dhe të thonë se ne nuk jemi në gjendje ta kontrollojmë… Duan të na përzënë neve dhe të thonë se operator kryesor është KOSTT-i i tyre… Unë do t’u shkruaj gjermanëve dhe francezëve për këtë çështje. Sipas marrëveshjes është dashur të formohen dy kompani (transmetuese të energjisë) që do t’i themelonte Bashkësia e Komunave Serbe, por ata do ta marrin sistemin Vallaç dhe Gazivodën (Ujmanin) dhe do të thonë se këto janë pasuri të shtetit të Kosovës”, citon Vuçiqin B92.

“Ndërkohë do të kemi çështjen e Interpolit dhe debatin në Parlamentin e Kosovës. Duan t’ia kufizonin fushën e veprimit delegacionit të vet dhe pas kësaj çfarë kuptimi do të kishte dialogu. Kur i përmend të gjitha këto e kuptoni se në çfarë situate të rëndë jemi. Ata, shqiptarët janë plotësisht unikë, të gjitha partitë”, është shprehur Vuçiq, qartas për konsumim të brendshëm, që në fund të bëjë thirrje për unitet të forcave politike dhe të popullit në Serbi, transmeton Koha.net.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme