“Vuçiqi është gënjeshtari më i madh”

Prishtinë | 05 Pri 2017 | 12:04 | Nga Sanja Kljajic

Në Serbi kanë filluar protestat e të rinjve që nga 4 prilli. Nuk ka organizatorë zyrtarë, por të rinjtë thonë se nuk do të ndalen deri sa “Ai nuk largohet!” Fjala është për presidentin e sapozgjedhur Aleksandar Vuçiq.

“Vuçiq o hajdut, i ke vjedhur votat”, jehonte mbrëmë në rrugët e Beogradit. Fishkëllima, vuvuzela dhe protesta të zëshme kishte më së shumti para godinës së Parlamentit të Serbisë, ku për të dytën natë me radhë u mblodhën me mijëra demonstrues të moshën 20-30 vjeçare. Ata thonë se po demonstrojnë kundër diktaturës.

„Më vjen të vjell nga ky pushtet. Për një kohë kaq të shkurtër kanë bërë gjëra të tmerrshme. Familja ime ka shumë probleme dhe po na kërcënojnë”, thotë Milena (18 vjeçare), e cila për herë të parë ka votuar në këto zgjedhje. Së bashku me shoqen e saj klithin me zë të lartë: “Ku janë votat tona?!”

„Mendojmë me kokën tonë”

Të pakënaqur me rezultatet e zgjedhjeve dhe atmosferën e keqe në vend për zgjedhje, protesta ka pasur në Beograd, Novi Sad, Nish dhe dhjetëra qytete të tjera në gjithë Serbinë. Organizatorë zyrtarë të protestave nuk ka. Njerëzit janë mbledhur duke ftuar miqtë e tyre përmes rrjeteve sociale apo personalisht.

Në mesin e mijëra të rinjve megjithatë ka dhe të tillë që shpërndajnë pankarta me kërkesën: “Duam balotazh në zgjedhje”. Ata thonë se kështu po luftojnë kundër errësirës informative dhe kundër censurës në Serbi. “Askush nuk na ka organizuar por ne duam të kontribuojmë për më shumë demokraci në vend”.

Pa kërkesa të qarta politike dhe pa fjalime – qëndrimi i vetëm që mund të supozohet është „duam balotazh”. Në protesta shihen edhe pankarta “Ai nuk është presidenti ynë”. E kush është? Për këtë nuk flet askush. Në mesin e protestuesve dëgjohen emra të disa kandidatëve. Disa bëjnë thirrje për protesta paqësore, të tjerët distancohen nga protestat. Ndërsa shumë figura publike thonë “Bravo për fëmijët!”

Çe Guevara dhe takijat serbe…

Sheshi qendror në Beograd “Nikolla Pashiq” buçet nga protestat, ku kujtohen edhe mashtrimet e Vuçiqit në media. Sipas vlerësimeve të para, protestat po përcillen nga shumë pjesëtarë të shërbimeve sekrete dhe më pak policë. Më së shumti policë ka afër “Murit serb të vuajtjeve” pranë Kuvendit, ku janë vendosur fotografitë e personave të zhdukur serbë gjatë luftës së Kosovës.

Në krye të turmës janë vënë persona me daulle. Kujdestarët e veshur me të gjelbër drejtojnë kolonat, ndërsa rruga e protestës caktohet spontalisht. Në kolonë shihen flamuj të Serbisë dhe fotografi të mëdha të Çe Guevarës. Por edhe veshje të grupit „Anonimus” apo grupeve të tjera muzikore, si dhe takija serbe. Gjithandej jehon “Vuçiq hajdut”, “Ku janë votat tona?“…

“Këtu kam ardhur të kundërshtoj Vuçiqin, sepse ai është diktator, autokrat dhe despot. Serbia është shndërruar në një vilajet të Vuçiqit“, thotë Nikolla (31 vjeç) për Deutsche Wellen. Pak më larg Marko Anti që mbanë një pano me mbishkrimin “Nuk duam diktaturë”. “Ky njeri (Vuçiqi) është gënjeshtari më i madh në historinë e popullit serb”, thotë Marko.

„Pensionistët janë me ju”

„Çfarë po ndodh?”, pyet një shitëse. Pas shpjegimit tonë, ajo përgjigjet: “Kanë të drejtë, sepse njerëzit po jetojnë në kushte shumë të vështira”. Ndërsa një shofer autobusi thotë: “Ata janë vetëm fëmijë, nuk dinë asgjë”. “As fëmijët e mi nuk kanë ndonjë të ardhur, por këta këtu janë pa edukatë dhe pa prindër”, thotë ai.

Por ka dhe shumë të moshuar që janë bashkuar me protestuesit në kolonë. Atga fotografohen pranë pankartave “Vuçiq hajdut, ke vjedhur votat” dhe „Bravo ju qoftë”. „Pensionistët janë me ju”, shkruan në një pankartë pak më larg. Njëri prej të moshuarve thotë se ka ardhur për të mbështetur fëmijët në kërkesat e tyre. Ndërsa Dragica Vukoviq (70) shton: „Kam ardhur për shkak të fëmijëve, sepse një fëmijë më ka ikur në Vjenë dhe nuk do të doja që të shkojë edhe fëmija im i dytë.” Të gjithë këta kanë votuar, por nuk dihet se ku kanë shkuar votat e tyre”.

Rrugëve të revolucionit

Të zemëruar me Vuçiqin dhe mediat e tij, kur kalojnë pranë godinës së Radio Televizionit të Serbisë apo gazetës „Informer”, ata qëllimisht lehin  „AV, AV (inicialet e Aleksandar Vuçiqit)”. Demonstruesit mendojnë se në Serbi po mbretëron një censurë e plotë mediatike. Ndërsa para godinës së Qeverisë, ndizen edhe mjete piroteknike. Shetitja përfundon aty ku ka filluar – para Kuvendit të Serbisë me porosinë “Shihemi nesër në të njëjtën kohë”. Në pyetjen tonë deri kur do të protestojnë, një i ri përgjigjet: “Deri sa ai nuk largohet” dhe duke fryrë në vuvuzela largohet në drejtim të Bulevardit të Revolucionit!(dw)

 

 

Të ngjashme