Zëvendëskryeministri serb, Nebojsa Stefanoviq, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të përgatisë “një befasi” për Prishtinën dhe BE-në, sonte në Bruksel, raporton tanjug.
Reagimi i tij vjen pas deklaratës në Prishtinë të kryeministrit Haradinaj, që ai as që është marrë me Asociacionin e Komunave Serbe, transmeton Indeksonline.
“Ajo që mund të them është se Vuçiqi mund t’ua përgatisë një befasi sonte dhe nuk e përjashtoj mundësinë që ne të marrim vendim ta formojmë vetë Asociacionin e Komunave Serbe pa na u bërë vonë se kush çka ka për të thënë për këtë”, ka thënë Stefanoviq në një intervistë televizive.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, po zhvillojnë një takim sonte në Bruksel. Takimi zhvillohet në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Thaçi dhe Vuçiq, pas takimit, rreth orës 21:00, janë në një darkë të përbashkët me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka bërë të ditur për Ekonomia Online një burim nga Brukseli.
Në javët e fundit, presidenti Thaçi ka udhëtuar në qendrat vendimmarrëse për të harmonizuar agjendën e dialogut me partneret strategjikë të Kosovës. Presidenti i Kosovës ka paralajmëruar se dialogu me Serbinë duhet të hyjë fazën e fundit, e cila duhet të përfundojë me nënshkrimin e një të ashtuquajturi “traktat paqeje”.