Zëvendëskryeministri i Kroacisë dhe ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq, bëri thirrje të martën për paqe dhe bashkëpunim në rajon, pas akuzave të presidentit të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, se Kroacia, së bashku me Kosovën dhe Shqipërinë, po udhëheq një aleancë ushtarake kundër Serbisë.
Vuçiq tha të hënën se Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punonin për ta minuar atë dhe se përbënin një kërcënim ushtarak, njoftoi agjencia kroate e lajmeve “Hina”.
Presidenti serb theksoi se aleanca qartazi nuk ishte “kundër Austrisë”, por shtoi se kishte detyrë ta sqaronte situatën para popullit serb.
“Në Beograd e kuptojmë mirë aleancën e re ushtarake të krijuar mes Zagrebit, Prishtinës dhe Tiranës. Ajo nuk është krijuar kundër askujt tjetër, përveçse kundër popullit serb”, deklaroi Vuçiq, duke paralajmëruar edhe forcimin e kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me akuzat e Vuçiqit, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kroacisë bëri thirrje për paqe dhe bashkëpunim në fqinjësi.
“Kroacia ka rrugën e saj, dhe kjo rrugë është e qartë. Kroacia është anëtare e Bashkimit Evropian dhe gjithçka që bën në marrëdhëniet ndërkombëtare e bën në mënyrë transparente. Sa u përket marrëdhënieve në këtë rajon dhe në fqinjësi, në këtë ditë mund t’ju them vetëm se, edhe pse Krishtlindjet i festojmë sipas kalendarëve të ndryshëm, mendoj se mesazhet e paqes dhe bashkëpunimit janë diçka që duhet të na jenë të përbashkëta”, tha Bozhinoviq pasi mori pjesë në pritjen tradicionale solemne të organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb (SNV) me rastin e festimit të Krishtlindjes ortodokse.