Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me shefen e re të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar bisedë të “hapur dhe të vështirë”.
Kallas në Bruksel më 3 dhjetor do të zhvillojë takim të ndarë edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Këto takime dypalëshe nuk janë pjesë e dialogut për normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Vuçiq shkroi në Instagram se Kallas foli për domosdoshmërinë e dialogut me Kosovën, “zgjidhjen e rastit të Banjskës dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse”.
“Unë u përgjigja në përputhje me politikën dhe interesat e Serbisë”, tha Vuçiq.
Takimet e shefes së re të diplomacisë së BE-së me krerët e Kosovës dhe Serbisë, mbahen disa ditë pas një shpërthimi në një kanal të ujit në Zubin Potok të Kosovës. Kosova ka fajësuar Serbinë për shpërthimin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen dhe ka thënë se do të hetojë këtë rast.https://zeri.info/inarticle.html
Kallas, që nisi mandatin e saj pesëvjeçar më 1 dhjetor, do të ndërmjetësojë procesin e dialogut, që ka nisur më 2011.
Gjatë procesit janë arritur dhjetëra marrëveshje, por pak prej tyre u zbatuan në terren.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në shtator të vitit 2023.
Pak ditë pas atij takimi, ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan Policinë e Kosovës dhe vranë një polic.
Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon se ka gisht në të.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Kosova ka ngritur aktakuzë për rastin e Banjskës, dhe Radoiçiq aty thuhet se ka qenë përgjegjës i grupit. Prishtina ka kërkuar që Serbia të dorëzojë atë tek autoritetet e Kosovës.
Në anën tjetër, autoritetet gjyqësore në Serbi kanë paralajmëruar se së shpejti do të marrin vendim lidhur me ngritjen ose jo të një aktakuze ndaj Radoiçiqit për rastin e Banjskës, pasi autoritetet serbe kanë kryer një hetim të ndarë për këtë rast.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësinë. /Rel