Vulin shfajëson Serbinë për luftërat në ish-Jugosllavi: Ato i nisën fuqitë e mëdha

Prishtinë | 25 Dhj 2020 | 12:44 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se të gjitha luftërat në Ballkan kanë nisur në kohën kur kanë dashur fuqitë e mëdha.

Ai tha se kështu, fuqitë e mëdha deshën të zgjidhin problemin me nacionalizmin serb.

Vulin i ka dhënë këto deklarata, teksa ka thënë se vetëm me forcimin e ekonomisë, forcohet edhe ushtria, e kësisoj, sipas tij, fuqitë e mëdha nuk mund të ndikojnë më.

Në katër luftërat e viteve ’90, Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, Serbia ishte pjesëmarrëse dhe agresori, meqë asnjë nuk u zhvillua në territor të saj.

“Kur fuqitë e mëdha flasin për çështjen e nacionalizmit serb, ata duan ta zgjidhin atë duke e copëtuar territorin serb dhe duke i zvogëluar numrin e serbëve”, ka thënë Vulin të premten në “Konferencën për Sigurinë Nacionale Serbia 2020”, përcjell “Danas”.

Ai ka thënë se siguria e Serbisë është aq e rrezikuar sa është ekonomia e dobët.

“Kur nuk ka fuqi ekonomike, nuk ka as ushtarake”, tha ai.

Vulin është i njohur për nacionalizëm dhe fyerje sidomos ndaj shqiptarëve. Së fundi, në cilësinë e ministrit, shqiptarët i quajti “shqiptari” dhe këtë fyerje e plasoi përmes uebfaqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes të Serbisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme