Vuniqi: Kosova dhe Bavaria do të thellojnë bashkëpunimin ekonomik

Prishtinë | 15 Mar 2019 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Përfshirja e Kosovës në instrumentin “Bayern fit for Partnership, organizimi i një Forumi të Biznesit dhe Investimeve në Mynih, ku do të identifikoheshin sektorët me interes të ndërsjellë, aranzhimi i takimeve B2B dhe G2B në Kosovë, vendosja e menjëhershme e kontakteve direkte në mes të Agjencive të Promovimit të Investimeve dhe Odave respektive Ekonomike janë disa nga veprimet, që kanë rezultuar nga dita e dytë e takimeve të zëvendësministres së Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në Gjermani, respektivisht nga takimi, që ajo ka zhvilluar në Ministrinë Bavareze për Çështje Ekonomike, Energji dhe Teknologji, me Drejtorin e Përgjithshëm për Bashkëpunim, Markus Wittman.

Hapja e një Zyre për Bashkëpunim Ekonomik të Landit të Bajernit në Kosovë, ka qenë një ftesë tjetër, që zëvendësministrja, Vuniqi, i ka ofruar Drejtorit të Përgjithshëm, Wittman, ftesë kjo, që është mirëpritur dhe do të merret në shqyrtim.

Gjatë ditës premte, zëvendësministrja, Vuniqi, është pritur në një takim tjetër edhe në Ministrinë e Shtetit Bavarez për Mbrotje të Ambientit dhe të Konsumatorëve, nga Drejtori i Përgjithshëm, Christian Barth, dhe ekipi i ekspertëve të tij.

Me këtë rast, Vuniqi ka shprehur interesimin e Kosovës, që të përfitojë nga sukseset e Bavarësisë edhe në sektorin e mbrojtjes së ambientit dhe riciklimit të mbeturinave dhe e ka falënderuar për bashkëpunimin dhe ndihmën e deritanishme në këtë sektor, nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale ashtu si edhe nëpërmjet projekteve të mbështetura përmes GIZ-it gjerman.

Për këtë qëllim, ajo e ka ftuar bashkëbiseduesin, që së bashku me ekipin e ekspertëve nga ky sektor, të realizojnë një vizitë në Kosovë, për të parë nga afër situatën në teren dhe të diskutojnë mbi mundësitë e projekteve konkrete.

Nga ana e tij, bashkëbiseduesi e ka siguruar zëvendësministren, Vuniqi, për mbështetjen e tyre për të ofruar ekspertizën, sidomos në sektorin e riciklimit dhe ka premtuar, që Institucionet kosovare të linjës do të ftohen në konferencat, forumet dhe panairet, që kjo ministri organizon në lidhje me këtë sektor.

Zëvendësministrja, Vuniqi, është pritur në një takim ndaras edhe nga Drejtori i Përgjithshëm për Çështje Evropiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare të Bavarisë, Thomas Gruber.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme