Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, ka pritur sot në një takim pune në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ambasadorin jo-rezident të Malajzisë në Republikën e Kosovës, Abdul Malik Melvin Castelino, nga i cili ka pranuar edhe kopjet e letrave kredenciale.
Në kuadër të këtij takimi, zëvendësministrja Vuniqi ka kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme të Malajzisë në kuadër të procesit të anëtarësimit të vendit tonë në organizatat ndërkombëtare, dhe ka shprehur interesimin e palës kosovare për vazhdimin e bashkëpunimit në fushën ekonomisë, bujqësisë dhe arsimit, gjë e cila është vlerësuar me interes edhe nga Ambasadori i këtij shteti.
Bashkëpunimi me Akademinë Diplomatike të MPJ-së dhe shqyrtimi i mundësisë së heqjes së vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës, që udhëtojnë në Malajzi ka qenë një çështje tjetër diskutimi.
Ambasadori Melvin Castelino, ka shprehur falënderimet për mikpritjen dhe ka përcjellur gatishmërinë personale për të kontribuar në vazhdimësinë e marrëdhënieve shumë të mira ndërmjet dy vendeve.
Gjithashtu, është diskutuar edhe mbi shkëmbimin e vizitave të niveleve më të larta shtetërore.