Në mbledhjen e Këshillit të drejtorëve të Komunës së Vushtrrisë, të kryesuar nga nënkryetari i Komunës së Vushtrrisë, Dibran Perçuku, sot është diskutuar për marrjen e masave kundër dëmtuesve të pyjeve dhe atyre të ndotjes së mjedisit, raporton Ekonomia Onlien.
Pas konstatimeve se si pasojë e dimrit të gjatë dhe të ashpër është rënduar situata lidhur me prerjen e pyjeve, drejtuesit e Komunës gjegjësisht të Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, kanë paralajmëruar marrjen e masave shtesë në mbrojtjen e pyjeve siç është rritje e numrit të pylltarëve në zonat ky pyjet po dëmtohen më shumë.
Po ashtu nga Drejtoria e Inspeksionit u paralajmërua ndërmarrja e masave ndaj dëmtuesve të mjedisit, e me theks të veçantë ndaj atyre që hedhin mbeturinat e materialeve inerte vend e pa vend, sepse ekziston deponia e materialeve inerte në dalje të fshatit Pestovë.
Në këtë takim u paralajmërua se ndaj dëmtuesve të pyjeve dhe ndotësve të mjedisit nuk do të ketë kompromis dhe të gjitha rastet do të dërgohen në organet e ndjekjes dhe të drejtësisë.