Vushtrria shënon 26-vjetorin e Çlirimit, kryetari Idrizi: Dita më e lumtur për këtë brez që po rritet në Kosovën e lirë

Prishtinë | 17 Qer 2025 | 13:24 | Nga Gzim Mujaj

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 26-vjetorit të Çlirimit të Komunës së Vushtrrisë, u mbajt edhe akademia solemne, ku përfaqësues institucionalë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe qytetarë të shumtë nderuan sakrificën dhe rrugëtimin për liri, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në fjalën e tij tha se kjo është dita më e lumtur për brezat që po rriten në një Kosovë të lirë, duke kujtuar sakrificën dhe mundin e atyre që kontribuuan për liri dhe pavarësi.

“Është dita më e lumtur për këtë brez që po rritet në Kosovën e lirë, për të cilën i derdh shumë gjak, mund, sakrificë, për të cilën u mbajtën shumë burgje. Kjo ditë daton herët, mundi, djersa, sakrifica dhe lufta e popullit shqiptar për liri dhe pavarësi filloi që kur filluan t’i bëheshin padrejtësi këtij populli dhe të coptohej. Sot kur ne po festojmë ditën e çlirimit ende vazhdojnë trazirat në vende të tjera por edhe tek ne”, tha Idrizi.

Ai theksoi se Kosova ende përballet me sfida dhe kërcënime, dhe kërkoi unitet politik dhe shoqëror.

“Ne nuk i kemi punët as të flemë as të kotësojmë sepse e kemi hasim kojshi, është i pabesë dhe ëndrrat i sheh këtu në këtë vend që është tokë dardane, ilire, shqiptare. Më tepër se çdo herë ky popull duhet që të jetë i bashkuar. Ta çojmë në vend amanetin e dëshmorëve dhe martirëve, pa luftën e UÇK-së nuk do të ishim këtu. Duhet të jemi të bashkuar, duhet t’i lëmë më në një anë teket, polarizimin e panevojshëm, t’i ndërtojmë institucionet tona”, theksoi kryetari Idrizi.

Në këtë akademi foli edhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Gëzim Saraqi, i cili kujtoi sakrificën e luftëtarëve dhe kritikat që i bëhen sot rolit të tyre në shoqëri.

“Ata e bënë luftë jo se e deshën atë, por se nuk e pranuan robërinë. Ata nuk luftuan për lavdinë e tyre, por për lavdinë e atdheut të tyre. Sot 26 vjet pas çlirimit, si një dëshmitar i realitetit, në të cilin luftëtari i UÇK-së në vend të trajtohet si nder i shoqërisë, trajtohet si barrë për shtetin dhe shoqërinë. Në vend që të shihet kujtim i një epoke të lavdishme, pretendohet të jetë shkak i të gjitha të këqijave që ndodhin në vendin tonë”, u shpreh Saraqi.

Me këtë rast, kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, nderoi me mirënjohje individët dhe organizatat që kanë kontribuar në rrugën për liri dhe pavarësi të Kosovës.

Të ngjashme