Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Pejë, po akuzon militantët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës se ua kanë vandalizuar tavolinën e peticionit në Pejë
Përmes një njoftimi në Facebook, nënkryetari i qendrës së VV’së në Pejë, Taulant Kelmendi, ka bërë të ditur se kjo ngjarje ka ndodhur sot në sheshin e qytetit në Pejë.
“Sot në sheshin e qytetit të Pejës disa militantë të AAK-së kanë vandalizuar materialet e peticionit dhe rekuizitat e vendit ku po mblidheshin nënshkrimet e peticionit “Duam Zgjedhje” duke i kërcënuar aktivistët të largohen nga aty. Kjo sjellje agresive e tyre vjen pas përkrahjes së madhe që qytetarët po e bëjnë duke nënshkruar peticionin për zgjedhje të reja. Pushtetin nuk mund ta mbajnë pa vullnetin e popullit”, ka shkruar Kelmendi.
Po ashtu, ai ka bërë të ditur se mbledhja e nënshkrimeve po vazhdon në Pejë dhe në komunat tjera.