Lëvizja Vetëvendosje, në një konferencë për medie, ka shprehur shqetësimin në lidhje me takimin e sotëm që po mbahet në Bruksel ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku tha se ky dialog në mes Kosovës dhe Serbisë i cili është që 7 vite ka qenë i padobishëm për Kosovën dhe nuk ka qenë transparent për qytetarët e vendit.
“Sot vazhdon dialogu në mes presidentëve në Bruksel në një situatë kur në Kosovë kemi një qeveri të pakicës e cila ka mundësi të paktën një projektligj të vogël ta votoj në Kuvend të Kosovës pa prezencën e opozitës, ku ka tentuar qeveria ta sjellë një platformë për dialog por të njëjtën e ka tërheqë sepse e ka ditë që nuk e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës për një platformë të tillë pa u bë ende vlerësimi zyrtar i dialogut 2011-17 që është obligimi i çdo qeverie të sjellë një raport për një dialog kaq të rëndësishëm që deri tani nuk i ka sjellë asnjë dobi Kosovës”, tha Kollçaku.
Sipas Kollçakut në krye të këtij dialogu është një njeri i cili ka bërë shkelje të Kushtetutës në nënshkrimin e marrëveshjes për Zajednicën.
“Në krye të dialogut është njeriu që nuk është president konsesual, ne i dimë rrethanat në të cilat është zgjedhë dhe e dimë që i njëjti president e ka nënshkruar marrëveshjen ndër më të dëmshmet deri tani për të ashtuquajturën Zajednicën ku në 23 nene shkelet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe ky nuk ka dhënë përgjegjësi për shkeljet e bëra dhe për t’i arsyetuar këto shkelje Serbia dëshiron të detyroj Kosovën që Zajednica të implementohet sipas kësaj marrëveshje dhe jo në respektim të Kushtetutës së Kosovës”, tha Kollçaku.
“Ne jemi të shqetësuar për zhvillimet që po ndodhin dhe kjo konferencë tregon shqetësimin për vazhdimin e dialogut dhe deri tani nuk kemi pasur rezultate nga dialogu dhe forma që deri më tani është zhvilluar”, tha Kollçaku.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se Hashim Thaçi në takimin që do të mbaj në Bruksel me Vuçiqin nuk është duke përfaqësuar shtetin e Kosovës dhe qytetarët e saj, por është duke përfaqësuar vetëm vetën e tij.
“Personi që i ka sjellë dëme vendit që nga paslufta po vazhdon avazin e vjetër ai sot pa legjitimitet dhe autoritet do të mbaj takime me Vuçiqin dhe ne si Lëvizje e kemi kundërshtuar procesin e dialogut me Serbinë dhe tani pas 7 vjet del që kemi pasur të drejtë në kundërshtimin e këtij procesi që para 6 viteve u tha që do të jetë thjeshtë një proces teknik dhe nuk do të diskutohet për çështje të brendshme me Kosovën dhe në fakt ky ka qenë dialog politik”, tha Haxhiu.
“Hashim Thaçi si kryeministër në atë kohë nisi bisedimet pa kushte dhe ky përveç që ishte dialog i mbyllur pa transparencë dhe llogaridhënie u nis me arsyetimin se nga ky proces do të kemi njohje nga Serbia, do anëtarësohemi në BE e shumë të tjera dhe asnjëra nga këto nuk ka ndodhur”, tha Haxhiu.
“Bashkimi Evropian duhet të dijë se Hashim Thaçi nuk e përfaqëson Republikën e Kosovës sepse nuk ka legjitimitet dhe paraqet rrezik për vendin sepse nuk duhet të përfaqësoj Kosovën”, shtoi në fund Haxhiu.