VV e fton LDK-në “të shkrihet” në listën e saj, ia jep kryeministrin

Prishtinë | 18 Maj 2017 | 00:23 | Nga

Pas kërkesës për bisedime që LDK-ja i ka parashtruar Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyrë që kjo e fundit të shkrihet në listën e tyre zgjedhore, gjërat kanë marrë kahje tjetër.

Lajmi.net merr vesh se në bisedimet e mbrëmjes, Vetëvendosje i ka bërë kundër-ofertë LDK-së.

“Nëse LDK-ja shkon në listën e VV-së, kjo parti u ka premtuar kandidatin për kryeministër, pra kandidat i listës zgjedhore të VV-së, ku do të shkriheshin LDK, AKR dhe Alternativa, do të ishte Avdullah Hoti”, kanë thënë burime brenda takimit.

Sipas kësaj kundër-ofertë, Lëvizja Vetëvendosje, nëse fitoheshin zgjedhjet, do të drejtonte Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe dialogun me Serbinë.“Kjo kërkesë është e panegociueshme”, thonë tutje burimet.

Megjithatë, lajmi.net merr vesh se ka zëra të fuqishëm si brenda VV-së ashtu dhe brenda LDK-së që kundërshtojnë çfarëdo shkrirje të njërës apo partisë tjetër në listë zgjedhore.

“Një modalitet i tillë do të zbehte identitetin e LDK-së, pasi që ata do të duheshin të shkriheshin në listën zgjedhore të VV-së”, theksojnë burimet.

Afati për dorëzimin e listave zgjedhore në KQZ të partive dhe koalicioneve që garojnë për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit është mesnata e 19 majit.

Të ngjashme