Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Novobërdë, përmes kryetarit të saj, Abdyl Gashi, ka parashtruar kallëzim penal ndaj Kryetarit të Komunës, Svetislav Ivanoviq për punësimin e paligjshëm, pa asnjë konkurs publik të bashkëshortes së tij, Vesna Ivanoviq, duke e paguar me pagë mujore në shumën prej 555.62 € (bruto).
Lëvizja e akuzon Ivanoviqin për veprën penale të konfliktit të interesit, sipas nenit 424 par.1 të KPRK-së.
Po ashtu, Qendra e Lëvizjes në Artanë e akuzon bashkëshorten e kryetarit të kësaj komune se pothuajse asnjë ditë deri më tani nuk është paraqitur në vendin e saj të punës, duke lënë të mendohet fakti se i pandehuri Sevtislav Ivanoviq e ka punësuar bashkëshorten e tij vetëm me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten e tij.
VV i bën thirrje Prokurorisë Themelore në Gjilan, që në bazë të autorizimeve ligjore, të fillojë hetimin kundër të pandehurit Svetislav Ivanoviq, ndaj të njëjtit të ngrejë aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan-Departamenti i Përgjithshëm dhe të kërkojë shpalljen e tij fajtor dhe dënimin e parashikuar nga ligjet përkatëse.