Lëvizja Vetëvendosje, i ka dalë në mbrojtje ministres së Industrisë, Rozeta Hajdari, e cila u kritikua pas dënimit për mosdeklarim të pasurisë, raporton Ekonomia Online.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj Abelard Tahirit tw PDK-sw, duke i thënë që të mbetet në kuadër të agjendës.
“Po, është mungesë e efikasitetit tonë të përbashkët në këtë legjislaturë. Por do të duhej të kishte përmbajtje brenda agjendës. Ministrja e prezantoi një projektligj të rëndësishëm në diskutim. Prita një elaborim të mirëfilltë nga grupi më i madh opozitar me mendimin se jeni kthyer në seriozitet në vitin 2023. Për këtë çështje ju keni kërkuar debat i cili ende nuk është bërë. Atë debat besoj se të gjithë bashkë mund të dakordohemi ta kemi në mbledhje të kryesisë. Të mos e ndryshojmë agjendën për të cilën jemi ftuar. Ju sugjeroj që të mbesim në kuadër të agjendës”, ka thënë ajo.
E deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi tha se çështjet teknike po tentohet të kthehet në politike.
“Ne kemi hartuar Ligjin e ri për deklarimin e pasurisë i cili hyn ne fuqi 6 muaj pas miratimit. Me ligjin e ri, vonesat nuk janë as vepër penale. Ministrja Hajdari e ka deklaruar pasurinë por me dy ditë vonese, meqë e ka pranuar fajin. Por, po të paraqiste ankesë në shkallë të dytë do të dilte e pafajshme. Mos tentoni një çështje teknike ta ktheni në çështje politike”, ka thënë Rrustemi.