Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas qëndrimit të Misionit të EULEX-it se institucionet kosovare i kanë kryer në mënyrë të duhur hetimet dhe autopsinë në rastin e Astrit Deharit, i cili vdiq derisa ishte në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.
Vetëvendosje, aktivist i të cilës ishte Dehari, ka thënë se EULEX-i “foli si partner i Klanit Pronto”, sikur e quan vazhdimisht ky subjekt qeverisjen aktuale, duke e lidhur me përgjimet e njohura si “Pronto”.
“Administrimi i procesit të hetimit, deklaratat publike kundërthënëse të policisë, rrjedhja e të dhënave, kontradiktat shkencore në shkaqet e vdekjes, përgjithësisht angazhimi i hetuesisë në propagandë publike më shumë se sa në hetime serioze, e kanë bërë procesin e hetimit të vdekjes së Astrit Deharit absolutisht të pabesueshëm dhe të dyshimtë. Dhe pikërisht në këtë moment në skenë del EULEX-i për të na bindur se hetimet qenkan kryer sipas standardeve dhe se qenkan të besueshme. Pas të gjitha atyre shkeljeve edhe procedurale, e etike, dhe pas përfshirjes së drejtpërdrejt të njerëzve të lidhur me Klanin Pronto në këto hetime, ato jo që nuk janë kredibile, por më shumë ngrisin dyshime për synim të fshehjes së të vërtetës se sa zbardhje të saj”, thuhet në reagimin e VV-së.
“EULEX-i as nuk është i pavarur e as i paanshëm. Gjatë kohës sa shërbejnë në Kosovë EULEX ka qenë subjekt i skandaleve të shumta dhe dyshimeve të mëdha për intervenime gjyqësore me qëllime politike e deri te skandalet e shumta të korrupsionit. Edhe këto EULEX-i kishte thënë që i kanë hetuar. Dhe nuk kanë gjetur asgjë. Mu sikur në këtë rastin e fundit të monitorimit të hetimeve të prokurorisë për vdekjen e Astritit”.
“Si u bë që EULEX nuk gjeti as shkeljen më të vogël në këtë proces hetimi? Nuk japin kurrfarë shpjegimi për ngarendjen e Sylë Hoxhës për ta cilësuar rastin si vetëvrasje 1 orë pas raportit të autopsisë i cili përkundër kontradiktave të mëdha shkencore, nuk e sjellë një përfundim të tillë. EULEX nuk e shpjegon se pse kemi kaq shumë deklarime zyrtare që e përjashtojnë njëra tjetrën prej policisë e cila tha që vdekja kishte ardhur si rezultat i konsumimit të mbidozuar të medikamenteve, e deri te deklaratat që Astriti ka vdekur rrugës, ose se ai ka pasur puls dhe frymëmarrje normale në momentin kur është gjetur në qeli, që kanë ardhur nga persona të ndryshëm përgjegjës brenda Shërbimit korrektues”, thekson Vetëvendosje.
“EULEX-i nuk mund të sigurojë hetime të pavarura. As nuk e ka kredibilitetin minimal për të qenë të përfshirë në një rast të tillë. Kjo komunikatë fatkeqësisht shihet vetëm si vazhdimësi e luftës propagandistike për ta mbështetur konstatimin e Sylë Hoxhës me pronto eprorët e tij”.
Sipas Vetëvendosje, qytetarët e Kosovës sot duan ta dinë të vërtetën për vdekjen e Astritit. Dhe, në lidhje me këtë, ta diskutojnë karakterin e shtetit që i vdesin njerëzit në burg dhe që nuk merr asnjë përgjegjësi. “Jo të dëgjojnë propagandë agjitative në gjuhë të ndryshme. Pavarësisht gjuhën në të cilën flitet, pra shqip ose anglisht në këtë rast, kjo propagandë synon ta fsheh të vërtetën, dhe asgjë tjetër”.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/eulex-hetimet-dhe-autopsia-per-deharin-jane-kryer-sakte/