Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, Visar Korenica ka kërkuar shkarkimin e bordit të RTK-së duke e akuzuar për punësime familjare, raporton Ekonomia Online.
Ai këto komete i ka bërë gjatë raportit të drejtuese të RTK-së në këtë Komision. Korenica ka kërkuar edhe formimin e një komision hetimor për mediumin publik.
Korenica ka thënë se me kontratë mbi vepër janë punësuar Leotrim Thaçi dhe gruaja e tij, Festin Cakolli, ndërsa vëllai i kësaj të fundit është punësuar si kameraman.
Në bazë të diskutimeve është raportuar se është punësuar edhe dhëndri i kryetarit të Bordit. Sali Bashota a bie kjo në kundërshtim me ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit. RTK është sinonim i keqpërdorimeve të vazhdueshme. Për të gjitha këto parregullsi duhet të formohet një komision hetimor sa më parë që ta hetojë gjendjen në RTK dhe të monitorohet nga organet ndërkombëtare. Prokuroria duhet të nis sa më parë hetimet ndaj keqpërdorimeve në RTK. Atë që Kuvendi duhet ta bëjë me urgjencë është kthimi i ligjshmërisë duke shkarkuar bordin aktual dhe duke nxjerrë një bord profesional”, ka thënë ai.
Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Ngadhënjim Kastrati, i është përgjigjur Korenicës duke i thënë se i vjen keq për pyetjet dhe konstatimet që i ka bërë.
“E para nuk është mirë me hy me emra, e dyta Leotrim Thaçin po doni me sulmu i njëjti është punësuar 3 muaj ka punu në ekspertizë ka qenë profesionist, vetë jam angazhu me e marrë se ka qenë profesionist, i ka marr tri rroga më nuk është në punë. Drejtor i përgjithshëm jam unë, jam drejtor nuk të jap ty llogari ty me ardhe me të vetë kënd me marrë në punë. Unë nuk jam budall e respektoj ligjin. Mos bëni spektakle pse kjo kështu pse kjo kështu? I respektojmë të gjitha ligjet dhe rregullat, jemi të thirrur me ju përgjigj po ju me ju vet juve kë me marrë në punë”, ka thënë ai.
Sali Bashota, kryetar i Bordit të RTK-së ka thënë se dhëndri i tij është punësuar për një periudhë 3-4 muaj dhe pastaj i është ndërprerë kontrata.
“Lidhur me tekstin që e lexove po lidhem me punësimin e dhëndrit tim shkoni, shikoni nëse dhëndri im punon në RTK, ka punuar një periudhë 3-4 muaj dhe i është ndërprerë kontrata. Është mirë të mos i referoheni burimeve të pa verifikuara sepse jeni deputet në Kuvendin e Kosovës. Nuk është e ndershme nuk është profesionale”, ka thënë ai.
Bashota në këtë mbledhje ka paraqitur edhe disa nga të punët e RTK-së.
“I paraqes disa nga punët dhe detyrat që i ka kryer RTK në një periudhë janar mars të këtij viti. Ne e kemi dorëzuar raportin për shpenzimet e këtij viti. Pavarësisht rrethanave që ndikojnë në veprimtarinë e këtij institucioni menanxhmeti është munduar t’i kryhej detyrat. Kemi arritur që me sukses të realizojmë shpenzimet brenda kornizës së caktuar. Kemi synuar transparencë të plotë më të gjitha shpenzimet që i kemi pasqyruar para jush”, tha ai.
Kryesuesi i Komisionit, Armend Muja ka pyetur se pse në raport ka më shumë shpenzime se sa të hyra.
“Afërsisht 3 milionë të hyra për janar – mars, kurse keni raportuar 3 milionë e 322 mijë euro shpenzime pse ka ndodhur kjo” ka pyetur Muja
Ngadhnjim Kastrati ka thënë se kanë blerë kamera këtë muaj dhe prandaj ka më shumë shpenzime se të hyra por që kjo sipas tij barazohet në fund të vitit pasi RTK nuk nxjerr shpenzime për 3 mujor por vetëm për 1 vit.
Anëtari i komisionit nga PDK, Bedri Hamza, tha se duhet të diskutohet çështja e rregullimit të pronës për RTK-në, duke shtuar se raporti financiar nuk dallon nga ata paraprakë.
“Të diskutohet rregullimi i çështjes së pronës së RTK-së e cila është një pengesë për punën e saj. Sa i përket raportit të shpenzimeve, krahasimi i viti 2020 krahasuar me vitet paraprake nuk ka ndonjë ndryshim. Besoj që shumë shpejt do të ishte mirë që në përputhje me nevojat e RTK-së dhe buxhetin e Kosovës të bëjmë alokimin e dytë të buxhetit për muajt në vazhdim në mënyrë që t’Ia mundësojmë punën asaj.
Palë Lekaj ka thënë se nuk duhet që pa të drejtë të atakohet një medium publik si RTK.
“Nëse mendojmë që ne jemi financues dhe të i qesim duart mbi RTK, jemi gabim dhe nuk mund të arrijmë të shkojmë aq larg. Nuk kemi të drejtë të bëjmë presion siç bëri para disa ditësh ministri i Shëndetësisë. 785 mijë euro janë vetëm për paga për këta muaj që nuk i jep hapësirë zhvillimit të teknologjisë andaj kjo duhet të shqyrtohet. 11 milionë mendoj që janë pak që i jep Kuvendi për një medium që synojmë ta kemi, të pavarura e të pandikuar” ka thënë Lekaj.
Raporti tre mujor i RTK-së për këtë vit nuk u miratua dhe është shtyrë për javën e ardhshme, e cila u kundërshtua nga drejtuesit e RTK-së.
“Nuk është e drejtë që vendosja për këtë çështje të shtyhet për javën tjetër. Ne nuk do të marrim përgjegjësi lidhur me proceset që do të ndodhin tutje nëse punëtorëve nuk u dalin pagat në fund të muajit. Do të vonohemi në shumë çështje të kryejmë obligimet me kompani tjera. Na dërgoni mjetet që i kemi të drejtë me ligj dhe për llogaridhënie japim sa doni” ka thënë Bashota.
Drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, ka thënë se këtë muaj, rrogat e punëtorëve në Radio Televizionin e Kosovës do të vonohen. Kjo sipas tij, pasi nuk janë alokuar mjetet nga buxheti.
“Për herë të parë RTK-ja këtë muaj do t’ua vonojë pagat punëtorëve për shkak se nuk i janë alokuar mjetet nga buxheti. Unë nuk po e shoh ndryshe këtë përveçse shantazh”, ka thënë ai.