VV-ja beson se ka zvogëlim të korrupsionit – Besnik Tahiri thotë se është korruptuar edhe lufta kundër korrupsionit

| 08 Mar 2024 | 12:16 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në lansimin e Studimit të Sistemit të Integritetit Kombëtar nga KDI-ja, përfaqësues të partive kryesore politike të Kosovës kanë diskutuar për integritetin politik dhe luftën kundër korrupsionit, raporton Ekonomia Online.

Partitë opozitare akuzuan pushtetin për ndërhyrje në drejtësi e institucione të tjera, si dhe “korruptim” të luftës kundër korrupsionit, ndërsa mazhoranca ishte e bindur se është duke e luftuar korrupsionin.   

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza-Kusari-Lila, tha se raporti përmban një vlerësim objektiv mbi realitetin dhe sfidat që kanë institucionet në luftimin e korrupsionit.

Ajo tha se në këtë raport, Kosova ka rënie të korrupsionit viteve të fundit, si shkak i angazhimeve institucionale. Si shembull kërkoi të merret gjendja në PTK.

“Një prej storieve të suksesit është Posta e Kosovës e cila nga një ndërmarrje me keqmenaxhim të theksuar ka arritur në ndërmarrje me ndërhyrje të rritura në secilën degë, dhe që gjatë tri viteve të fundit ka pasur Bord të shkëlqyer, duke filluar edhe nga kuota gjinore e profesionalizimi”, tha ajo.

E deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, tha se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, karakterizohet me vendime anti-kushtetuese.

“Ka pasur tendencë të hapur për kapje të institucioneve dhe për pasojë duket se do të kemi një projektligj që synon kapjen e institucionit ligjor (Këshillin Prokurorial të Kosovës). Ligji i pagave, zvogëlimi i tyre në sektorin e drejtësisë më përpjekje për kërcënimin e institucioneve të pavarura, një përpjekje për ndryshim që se kemi parë deri më tani”, ishin disa nga vërejtjet e Deliu-Kodrës.

Ajo përmendi edhe ndërhyrjet tek Ligji i KPM-së dhe gjuhën kërcënuese ndaj gazetarëve.

“Çfarë kemi parë është vërtet e dhimbshme dhe nuk e karakterizon integritetin e duhur institucional”, tha ajo.

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se kultura e qeverisjes se Kurtit është kulturë e presionit publik, duke thënë se nuk merr përgjegjësi edhe nëse i rrezikon themelet e shtetit.

“Mund te themi se është qeveria që ka sjellë më së shumti ligje anti-Kushtetuese, ka zgjidhje por duhet të vendoset së pari gjendje e jashtëzakonshme, nuk mundet të pakësojë liritë ekonomike, e pastaj edhe kryeprokurorit të shtetit, me ndërhyrje direkte, kjo tregon tendencë direkte për ndërhyrje në institucione. Imponimi i vendimeve të deputetëve është problem i kësaj qeverisje e cila është e rrezikshme për stabilitet institucional”, tha Gashi.

Gashi tha se Qeveria aktuale është qeveria që më së shumti që ka dhënë tenderë njëburimore, duke shtuar se kjo kalon numrin e mbi 350 sosh.

E shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, në fjalën e tij veçoi tri probleme që duhet të diskutohen dhe trajtohen: Tendenca e korruptimit të luftës kundër korrupsionit; Kapja e administratës së shtetit dhe ndërhyrja në sistemin e drejtësisë.

“Korruptimi i luftës kundër korrupsionit është një fenomen serioz, i rrezikshëm dhe nuk mund të pretendojë qeveria se po e lufton korrupsionin, kur personat e korruptuar e të lidhur me politikën i ndan prej të tjerëve siç është rasti i rezervave shtetërore, çështja e energjetikës në KEK e rasti i ambasadorit në Kroaci i cili tërheq miliona euro kesh. Nuk mundesh me kundërshtarët politikë me i luftu politikisht rreth korrupsionit, kurse kolegët partiakë me i amnistu nga pozita qeveritare dhe nga kuvendi”, u shpreh Tahiri.

“Me nepotizmin e bërë nga kjo Qeveri nuk ka dëm 4-vjeçar, por më shumë se 15-vjeçar”, tha Tahiri.

Në vazhdim ai foli për kapjen e administratës së shtetit.

“Nepotizmi, kapja e administratës shtetërore kanë qenë tema jetike, por tashmë ka ndodhur një ndryshim dhe u korruptua lufta kundër korrupsionit. Ligji i Pagave është problem nacional dhe ky vend nuk do të zhvillohet, përderisa do ta kemi në varfëri të skajshme zyrtarin publik. Me kryeministrin Haradinaj e pata diskutuar këtë çështje për të hequr kontratën mbi vepër, sepse kjo është kancer i administratës së shtetit. Kur e kemi shtyrë reformën e administratës shtetërore duke i kaluar ligjet, por fatkeqësi e madhe është që e degraduan Ligjin e Pagave. Ndërkaq, Ligji për Zyrtarët Publik është ligj i kapjes dhe i goditjes së administratës së shtetit. U pa qartë si shkoi emërimi i zyrtarëve në ndërmarrjet publike dhe kjo tregon më së miri kapjen e administratës së shtetit. Ligji për Zyrtarët Publikë është i rrezikshëm dhe do të na shkaktojë dëme të pariparueshme në administratën e shtetërore”.

Kurse sa i përket ndërhyrjes politike në sistemin e drejtësisë, Tahiri theksoi se kryeministri Kurti dhe të tjerët e pushtetit, nga foltorja, flasin lirshëm për kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit si të ishte i afërmi i tyre, e jo për një sistem të pavarur ku demokracia i sanksion të flasin për këtë çështje. “Çështjet korruptive, pushteti duhet t’ia lë drejtësisë deri në verdiktin final, e jo të dalë në mbrojtje të personave që janë të lidhur me politikën”.

Për këtë mori replikë nga Kusari-Lila e Vetëvendosjes.

“Vazhdimisht po e akuzojnë qeverinë për ndërhyrje në organe të rendit, dhe ajo që po ndodh në sistemin legjislativ është miratuar një mori projektligjesh, si ajo e Vettingut, Financimi për partitë politike, ndryshime të mandatin e Agjencisë Anti-korrupsion”, tha ajo.

Të ngjashme